Shën Valentini nga Liqeni Artificial në Tiranë, këtë vit nuk ka qenë si vitet e tjera. E gjithë hapësira e gjelbër, sot shkëlqente më shumë, por jo vetëm nga rrezet e diellit që kishin nisur të buzëqeshnin qysh në orët e para të mëngjesit. Dita e dashurisë, këtë vit kishte një domethënie tjetër.

Krahas shumë aktiviteteve të organizuara nga bashkia e Tiranës enkas për të dashuruarit, në park, në një prej këndeve të tij më të bukura, lexohej qartë edhe një tabelë mirëseardhjeje: Class Events.

Dy çifte kishin zgjedhur që në këtë ditë domethënëse për dashurinë të kurorëzonin dashurinë e tyre në martesë dhe celebrimin do të bënte vetë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

I gjithë mjedisi përreth ishte kuruar me të gjithë aksesorët e nevojshëm të ceremonisë, por pa prekur në asnjë kënd magjinë dhe perfeksionin e natyrës. Class Events, si gjithmonë me elegancë, përdori një dekor unik që ta shijonin jo vetëm dasmorët, por të gjithë të dashuruarit e pranishëm në park.

E bardha e dasmës, e kombinuar me ngjyrat e pastra të natyrës krijuan një kombinim unik në parkun e gjallëruar të liqenit, por kurrsesi nuk do të dukej magjike pa praninë e kryetarit Veliaj, i cili preferoi që veç celebrimit, të ishte bashkë me çiftet edhe kur ata të mbillnin Pemën e Dashurisë në një ditë të shënuar.

Dekorin festiv i gjithë parkut të Liqenit Artificial u harmonizua edhe me muzikë të zgjedhur për ditën e të dashuruarëve.

Gjithçka e kuruar me detaje nga Class Events i dha edhe më shumë dashuri kësaj dite të veçantë.