Futbollisti i Arsenalit, Mesut Ozil, dhe aktorja Amine Gulse do të kurorëzojnë në martesë lidhjen e tyre të gjatë nesër mbrëma, në një prej hoteleve më luksoze të Stambollit. Dasma e shumëpërfolur ka qenë objekt lajmesh ditët e fundit edhe në mediat rozë: sa është vlera e dasmës luksoze, sa të ftuar do të ketë në plot tri dasmat, fustanet e aktores etj.

Mendohet se shpenzimet do të kapin vlerën e 1 milionë lirave turke. Meqenëse Amine është rritur në Suedi, ndërsa Ozil në Gjermani, dasma do të mbahet në të tria shtetet.

Por një natë para dasmës, kur të gjithë të ftuarit mendojnë se çfarë do t’i dhurojnë çiftit të famshëm, Ozil dhe partnerja e tij, kanë kërkuar një dhuratë tjetër, që nuk ngjet aspak me dhuratat e zakonshme që mund t’i dhurohen një çifti të sapomartuar.

“Shumë fansa më kanë pyetur, mua, të afërmit dhe miqtë e mi, për dëshirat që kemi për dasmën e nesërme. Si një futbollist profesionist, jam në një pozitë fatlume dhe të privilegjuar. Sidoqoftë, unë ftoj të gjithë ata që janë të gatshëm dhe në gjendje të ndihmojnë në mbështetjen e një projekti shumë të përzemërt që ne kemi ndërmarrë me @big.shoe11. Amine dhe unë do të mbulojmë shpenzimet për operacionet e 1000 fëmijëve në nevojë. Unë do të jem i lumtur nëse, përveç kësaj, do të realizohen edhe shumë trajtime të tjera në të gjithë botën”, – shkruan futbollisti duke i ftuar të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e kësaj kauze.

Siç shkruan më tej, Ozil ka qenë disa herë pjesë e kësaj kauze, e cila ka në fokus ndihmën e fëmijëve në nevojë në të gjithë botën.