Aloris, një fëmijë i ëmbël si mjalti, meritonte një festë po aq të ëmbël sa ai. Për ditëlindjen e tij të parë, familja dhe njerëzit e afërt u mblodhën për të festuar një ngjarje aq të bukur sa është 1-vjetori. Edhe pse ai nuk do të mbajë mend gjë nga festa e mrekullueshme që u organizua për të, fotot do të jenë aty për të memorizuar kujtime pafund për të gjithë të ftuarit, por edhe për vetë Alorisin që do t’i shohë me shumë dashuri kur të rritet.

Class Events realizoi një festë mjaltë të ëmbël për ditëlindjen e parë të këtij vogëlushi kaq special. Ngjyrat që dominonin dekorin ishin ngjyrat e pastelit, kryesisht e verdha, ashtu si mjalti. Këndi i photoboothit, ku shkruhej “Aloris 1st birthday” u mbush me tullumbace. Pranë tij qëndronin ëmbëlsirat që ishin të llojeve të ndryshme, duke filluar nga doughnuts, cupcakes, wafers etj., të gjitha të mbuluara me mjaltë ose me bletë sheqeri.

Në një festë të tillë s’kishte si të mungonte ai që e dashuron mjaltin, arushi Winnie Pooh. Ku ka mjaltë është edhe Pooh! Arushi i famshëm, së bashku me miqtë e tij e bënë tortën e Aloris të dukej një përrallë.

Po ky qyp mjalti a nuk ju duket i adhurueshëm?

Tavolina dhe karriget ishin një kombinim i së bardhës me të verdhën pastel. Në të njëjtat ngjyra ishin edhe lulet që dekoruan mesin e tavolinës së gjatë në formë drejtkëndëshi, përgjatë së cilës u vendosën edhe qirinj të mëdhenj, po në tonet e pastelit. Festa u organizua jashtë në gjelbërim dhe të jepte përshtypjen se ndodheshe në pyllin e Winnie Pooh.

Sotopjatat ishin të bardha me detaje gold dhe sipër tyre u vendos nga një letër në formën e hojeve që lajmëronte qëllimin e festës. Përkrah sotopjatave kishte nga një kavanoz të vogël me mjaltë për të ëmbëlsuar të ftuarit.

Por edhe më i ëmbël se mjalti, që gjendej në çdo cep të festës, ishte i vogli Aloris!