Këtë pranverë, koncepti dhe trajta e shtëpisë merr një kuptim të ri. Një periudhë e tillë karantinimi, që askush nuk e di sa do të zgjasë, nënkupton një përshtatje me realitetin e ri. Në mënyrë që muajt e ardhshëm të jenë sa më të menaxhueshëm dhe komodë, është koha të investojmë në riorganizimin e interierit.

Dizajni luan rol primar në mënyrën si i perceptojmë format e një hapësire, ngjyrat dhe materialet. Ndryshimet e vogla në rimodelim ndihmojnë në energjinë e mirë dhe kënaqësinë që marrim nga interieri, por kanë edhe aftësinë të rrisin produktivitetin dhe efikasitetin e të punuarit nga shtëpia.

Më poshtë gjeni disa ide për një shtëpi stilt, benefitet e së cilës do t’i shijoni edhe pas kësaj krize.

1.Rishpërndarja e mobiljeve

Mobiljet tuaja mund mos të jenë të vendosura në hapësirën e duhur, duke u përshtatur me periudhën e gjatë të qëndrimit në shtepi. Rishpërndarja e tyre në këndet me dritë (në afërsi të dritareve, hapësirës së ballkonit), na ndihmon të ndihemi pjesë e botës dhe natyrës përtej shtëpisë sonë. Gjithashtu kjo na lejon të marrim sa më shumë rreze dielli, por edhe ajër të pastër.

Funksioni i mobiljeve specifike është i rëndësishëm për të krijuar kënde të reja. Nëse vini re një kolltuk në hapësirën e ndenjes, të cilin nuk e shfrytëzoni, mund ta zhvendosni në dhomën e gjumit. Në këtë mënyrë keni krijuar një hapësirë (qoshe të re) për të lexuar libra. Një ndriçues, të cilin nuk e përdorni aq sa duhet, mund ta shtoni në dhomën e ngrënies, ku kaloni më shumë kohë me familjen.

2.Lyej, edhe ri-lyej

Lyerja e mureve është një mënyrë jo e kushtueshme për të transformuar hapësirën ku jetoni. Nuk ka nevojë për aftësi dhe njohuri të veçanta, si dhe mund të jetë një aktivitet argëtues e meditues gjatë kësaj periudhe. Mjetet dhe elementët që ju nevojiten mund t’i porosisni online.

Ngjyrat e ngrohta dhe të çelëta ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes shpirtërore dhe menaxhimit të stresit. Por mos e kufizoni veten, zgjidhni çdo ngjyrë që ju bën të ndiheni të lumtur (tonalitete të ngjyrave industriale apo rozë blush, ju vendosni). Gjithashtu mund të luani me imagjinatën duke krijuar një faqe muri të ndryshme nga të tjerat ose të pikturoni linja abstrakte. Ideja e këtij sugjerimi është krijimi i një hapësire ku ju ndiheni komodë dhe të qetë.

3.Krijoni ‘hapësira pune’

Kur jeni duke punuar nga shtëpia, mos u detyroni të qëndroni në të njëjtin vend. Nëse keni një kënd të dedikuar për hapësirë pune, shpenzoni kohë për riorganizimin e saj për të qenë më e rehatshme (pasi mund të jetë zyra juaj për një të ardhme pa afat). Por gjithashtu mos ngurroni, të përshtasni hapësira të tjera si ambient pune. Për të krijuar larmishmëri, mund të konsideroni llozhën, ballkonin apo verandën, si këndin e të punuarit. Një tryezë, kolltuk dhe batanije pikniku do të ishin ideale për të punuar në hapësirën e jashtme.

4.Rimodelimi i hapësirave të vogla

Nëse jetoni në një apartament të vogël, është e vlefshme të mendoni si t’i përdorni m² (metra katrorët) e sipërfaqes për t’i dhënë vetes suaj sa më shumë hapësirë. Hapësira është luksi më i madh, që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën e të jetuarit. Duke rimodeluar dhe organizuar elementët, mund të përfitojmë hapësirë ose të krijojmë iluzione të saj.

Nëse keni mobilje ose sende shtëpiake, të cilat nuk i përdorni dhe marrin një hapësirë të konsiderueshme, mendoni t’i spostoni duke i ruajtur në garazh apo papafingo. Kur nuk është e mundur kjo mënyrë, mund t’i organizoni nën krevat ose në pjesën e sipërme të dollapit tuaj. E njëjta gjë vlen edhe për objektet e panevojshme mbi tavolinat apo raftet e ndryshme, për të ndjerë lirshmërinë dhe hapësirën më të zbrazët.

5.Përdor ‘art’

Nëse buxheti jua lejon, investoni në një copëz arti, qoftë kjo vepër e një piktori apo një qilim shumëngjyrësh artizanal. Për të reduktuar ankthin në këtë periudhë, kushtojini rëndësi artit që është qetësues, të cilin do ta shijoni edhe më vonë kur të riktheheni në normalitet.

Parashikimet për një reçesion të mundshëm global, përkthehen në një goditje ekonomike edhe për artistë apo artizanë që mund të vuajnë financiarisht. Nëse planifikoni të blini diçka të re, mendoni për mbështetjen e krijuesve dhe galerive lokale.