Pushimet – për disa kanë filluar e për të tjerë kanë përfunduar. Synimi i tyre është të çlodheni dhe të riktheheni më energjikë në punë.

Por telefoni mund të shkatërrojë gjithçka. Kjo nuk është diçka e mirë, pasi qëndrimi të lidhur vazhdimisht me këtë mjet të përditshmërisë nuk ju ndihmon t’i shijoni pushimet.

E nëse është e vërtetë se disa kërkesave nuk mund të mos u përgjigjeni, është po aq e vërtetë se me organizimin e duhur, mund të gjeni një ekuilibër të mirë.

Përfundoni detyrat përpara

Organizimi në punë mbetet fjalë kyçe, sepse gjithçka varet nga kompania, edhe ekuilibri punë – jetë. Veçanërisht para se të niseni me pushime, që të mos rrezikoni të merrni me vete atë çfarë nuk keni përfunduar.

Këshillohet të mbyllni gjithë punët e lëna pezull – email-e, telefonata, planifikim axhende. Në këtë mënyrë, ndërkohë që jeni me pushime, do të shmangni të mendoni edhe për zyrën (të paktën ky është qëllimi).

Përcaktoni mirë “out of office” (jam me pushime)

Ekspertët e rekrutimit të InfoJobs thonë se është e “rëndësishme të shkruani ‘out of office’, për t’u dhënë një informacion të qartë atyre që do t’ju kërkojnë.

Në varësi të kontakteve, zgjidhni gjuhën në të cilën do ta shkruani dhe mos harroni të thoni se kur do të riktheheni nga pushimet dhe kujt duhet t’u drejtohen në rast të ndonjë emergjence (sigurisht njoftoni edhe personin që do t’ju zëvendësojë).

Kujdes ndaj “always on” (gjithnjë online)

“Always on” është pikërisht ajo që duhet të bëni kur jeni në punë dhe nuk duhet të bëni kur nuk jeni në punë.

Ekspertët e InfoJobs këshillojnë: “Mund të kontrolloni email-in dhe telefonin, të jeni të gatshëm për raste urgjente, por mos harroni ta bëni këtë duke respektuar pushimet tuaja dhe ato të të tjerëve.

Pushimet verore janë të merituara dhe të domosdoshme për të rifituar energji dhe për të punuar edhe më mirë kur të riktheheni në zyrë”.

Përcaktoni një kohë që t’u përgjigjeni email-eve

20 minuta, maksimumi 30 minuta – është koha e nevojshme, për të shmangur që të jeni “gjithnjë online”, por për t’iu përgjigjur email-eve dhe mesazheve të rëndësishme ose për të bërë telefonata.

Ideale është t’i kushtoni një moment gjatë ditës, për shembull në mëngjes ose pas dreke, në mënyrë që të mos mendoni më për punën (ose ndoshta të harroni telefonin).

Qëndroni larg rutinës

Nëse shkoni me pushime është që të riktheheni më energjikë, edhe në punë, kështu që shfrytëzimi i tyre në maksimum ndikon në produktivitetin tuaj.

Si të veproni? Duke u çlodhur natyrisht. Shkenca ka vërtetuar gjithashtu se është e rëndësishme të shmangni përsëritjen e zakoneve të jetës së përditshme dhe të merreni me aktivitete të reja: provoni përvoja të reja dhe vizitoni vende që s’i keni parë, të cilat nxisin krijimtarinë dhe çlodhjen.

Monitor