Në mes të shqetësimeve nga koronavirusi, shtëpitë e të moshuarve në të gjithë vendin nuk lejojnë vizitorë, që të mos rrezikojnë banorët e tjerë dhe të mos përhapin sëmundjen.

Për shkak të kësaj, të moshuarit e vetëm dhe të frikësuar po ndahen nga të dashurit e tyre. Një rast i tillë është ai i Bob Shellard-it, 90 vjeç.

Më 14 mars, ai u fotografua duke qëndruar jashtë dritares së shtëpisë ku qëndronte bashkëshortja, Nancy Shellard, (88 vjeç) në Stafford Springs, Connecticut.

Ai mbante në dorë një shënim ku thuhej: “Unë të kam dashur 67 vite dhe akoma të dua. Gëzuar përvjetorin.”

Posteri ishte i zbukuruar me një zemër të madhe të kuqe. Ai kishte edhe një tufë të madhe me tullumbacë në ngjyrë portokalli, të verdhë, rozë dhe lejla.

Një dashuri e gjatë mund t’i mbijetojë çdo gjëje. Për herë të parë në martesën e tyre 67-vjeçare, çifti nuk ishte në gjendje të festonin së bashku.

“Më bën të ndihem keq, sepse e dua atë pranë meje dhe e di që nuk mundet.”- tha Bob-i.

Duke kërkuar diçka që na ngroh zemrat, mediat sociale u tërbuan kur fotoja u postua në Twitter. Shumë shpejt ajo u bë virale.

Disa njerëz e krahasuan atë me Lloyd Dobler (luajtur nga John Cusack), i cili qëndronte jashtë dritares së Diane Court me një magnetofon, në komedinë romantike të vitit 1989 "Say Nothing" (Mos thuaj asgjë).

Vajza e çiftit, Laura Mikolajczak, tha për TODAY se babai e vizitonte nënën çdo ditë, derisa masat ndaj Covid-19 hynë në fuqi javën e kaluar.

“Ata kanë qenë gjithmonë një frymëzim për ne. Ka diçka të ëmbël mes atyre të dyve dhe asaj që përcjellin te ne të tjerët”,- tha ajo.

Kohë të vështira nuk do të thotë fund i shpresës apo dashurisë. Bob i ka treguar botës se ka ende një mënyrë për ta mirëmbajtur dhe ushqyer marrëdhënien tonë. Pavarësisht vetëkarantinës apo izolimit.