Një studim i kohëve të fundit ka zbuluar se gratë mund të mos kenë rroga të barabarta me seksin e fortë, për të paktën dy shekuj e gjysmë më shumë.

Raporti Global i Gjinisë i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) 2020 ka parashikuar që gratë do të duhet të presin 257 vjet për t'u paguar njësoj si burrat.

Indeksi Global Gender Gap mati boshllëqet në bazë gjinore në arsim, shëndetësi, politikë dhe ekonomi që nga viti 2006-të.

The Independent raporton se studimi më i fundit zbuloi se gratë duhet të presin mesatarisht 99.5 vjet për të parë barazinë me burrat në të katër kategoritë, të cilat u përmirësuan nga 108 vjet në 2018-ën.

Të dhënat nga 153 vende u përdorën për të përcaktuar se si ndahen rrogat krahasimisht për nga gjinia mes burrave dhe grave. Islanda ishte e para, duke mbyllur 88% të hendekut të përgjithshëm gjinor. Pasuan Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Nikaragua, të cilat e mbyllën hendekun me më shumë se 80%.

Mbretëria e Bashkuar ra me gjashtë pozicione krahasuar me vitin e kaluar, duke u renditur në vendin e 21-të në listë, me Jemenin që renditet më i ulti.

Rachel Thomas, nga LeanIn.Org e cila promovon të drejtat e barazisë së grave, i tha Reuters: "Gjetjet e Forumit Ekonomik Botëror janë dekurajuese, por aspak befasuese. Kompanitë duhet të ndërmarrin hapa të guximshëm për t'u siguruar që proceset e punësimit të tyre janë të drejta dhe gjithëpërfshirëse dhe t'u ofrojnë grave trajnime dhe sponsorizime që ato të përparojnë në të gjitha fushat e veprimit ku operojnë".