Sipas propozimit të Lulzim Bashës, zv.kryeministre e qeverisë shqiptare, do të jetë një femër. Ledina Mandija, 43 vjeçe, nuk është krejt e panjohur për publikun shqiptar. Mandija, e lindur në Tiranë, ka qenë Avokate e Shtetit në kohën kur Shqipëria qeverisej nga Partia Demokratike dhe u largua prej kësaj detyre me ardhjen në pushtet të së majtës.

Mandija u bë e njohur për publikun kur u thirr si dëshmitare në Komisionin Hetimor për CEZ.

Mandia ka filluar punë në Avokaturën e Shtetit si Avokate e Shtetit më 6 prill të vitit 2007, në pozicionin e Avokates së Shtetit për Arbitrazhin Ndërkombëtar. Në janar të vitit 2010 është  emëruar nga Kryeministri Berisha në pozicionin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Në datën 7 tetor të vitit 2013, me urdhrin e Kryeministrit Rama është liruar nga detyra e Avokates së Përgjithshme të Shtetit. Megjithatë Ledina Mandia është larguar përfundimisht nga Avokatura e Shtetit në shtator të vitit 2014.

Gazeta Shqiptare ka publikuar sot padinë e Ledina Mandijas ndaj qeverisë Rama për pushimin nga puna në vitin 2013. Megjithë këtë konflikt të vjetër, tani ata do të ulen pranë në mbledhjet e qeverisë.

Presidenti Nishani i ka dekretuar të gjashtë ministrat e propozuar nga PD dhe pritet votimi në parlament sot pasdite.

Mandija do të drejtojë një Task Forcë për mbikqyrjen e zgjedhjeve. Profili i saj profesional është juriste, me gradën doktore shkencash.