Kur je në një udhëtim pune, nuk ka shumë ndryshim nëse ndalon në një qytet të ri, apo në qytetin tënd të origjinës, për nga koha e paktë që ke në dispozicion. Në mos, në qytetin tënd, për shkak edhe se takon ndonjë të afërm apo mik, oraret bëhen edhe më të ngjeshura.

Kështu ishte edhe këtë fillim marsi për Valbona Zenelin, e cila erdhi në Tiranë gjatë një udhëtimi pune me një projekt të BE-së që po analizon skenaret e së ardhmes së Ballkanit, për të dytën herë që nga dhjetori i  kaluar, kur promovoi librin “Në opinionin tim…” Kishte qenë edhe në shkurt, në një tjetër vizitë me program të ngjeshur. Megjithatë, duket se pedagogia e Marshall Center, në këto 7 vite punë në institucionin amerikano-gjerman me qendër në Garmish, nga të cilat, prej më shumë sesa dy vitesh është drejtore e Programit për Detin e Zi dhe Euroazinë, është mësuar me kohën e paktë, ndalesat e shkurtra, fluturimet e shpeshta, me valixhen e udhëtimit që sa boshatiset, rimbushet… edhe pse pa ndryshime thelbësore…sado të largëta, apo të ftohta të jenë vendet ku shkon, veshjet e Valbonës i përshtaten më shumë temperaturës konstante të sallave të konferencave apo takimeve zyrtare.

Imagjinon një grua të prerë, me veprime të nxituara e zë të ftohtë në ndjekje të këtij ritmi, por Valbona Zeneli është gjithmonë ajo. Me zë të ëmbël, gati fëminor, me një buzëqeshje të bukur, shumë vajzërore dhe me atë elegancën…që është e vështirë të përshkruhet.  E megjithatë, mbështjellë me këtë feminilitet, janë veprimet e sigurta të një gruaje që e di çfarë do, edhe kur bëhet fjalë për vendime të vogla.

Hair&Make Up: Monaliza dhe Erjona, Class Makeup Studio

“Këtë herë për fotot kam marrë një kostum të bardhë të 15 viteve më parë dhe një fustan të zi që do e vesh me perla. Kaq…”, thotë ajo duke qeshur. Dhe është aq sa duhet. “Eleganca nuk është të veshësh një fustan të ri”, ka thënë Coco Chanel, e cila të kujtohet, dashur pa dashur, nga ky set i Valbonës, nga e bardha dhe e zeza, ku stilistja franceze shihte “ngjyrat…me bukuri absolute” dhe nga perlat. Ndoshta ngaqë ndajnë të njëjtën elegancë, nuk e kishim vënë re më parë që vathët e perlave, janë thuajse të pandara në pamjen e Valbonës. I vendoste që në kohën kur nuk mbante asnjë aksesor tjetër dhe këtë mund ta vërtetosh lehtësisht po të shohësh fotot e saj në vite. Këtë na e tregon nga Garmishi, ku është kthyer tashmë, sepse është e vështirë të gjesh kohën për gjithçka gjatë vizitave të fluturimta të saj. Kështu ishte edhe në dhjetor, kur promovoi librin, ndaj dhe kjo kopertinë e projektuar që në atë kohë, mbërriti në mars. Edhe pse në promovim gjithçka u realizua siç duhej.

Foto: Orsola Mema, Class Photography

Libri i Dr.Valbona Zenelit, përmbledh artikuj të saj të botuar më parë në media ndërkombëtare (disa prej të cilëve kanë fituar edhe çmime), për çështje të sigurisë evropiane, tregtisë ndërkombëtare dhe Ballkanit Perëndimor dhe hapet me vlerësimet e profesorëve, drejtorëve dhe editorëve që kanë njohur nga afër punën e Zenelit dhe njohuritë e saj në këto çështje, që e bën gazetarin Tim Judah, të The Economist, të shkruajë “…askush nuk do ishte në gjendje ta bënte më mirë këtë sesa Zeneli”.

Në promovimin e librit në Tiranë, ishin të pranishëm personalitete të politikës dhe diplomacisë, ku ndër ta, dy janë pjesë e familjes së Valbonës, i ati, ish-ambasadori Bashkim Zeneli dhe bashkëshorti, ish-ministri, Igli Toska. Kur dikush arrin të hipë në podium, në një klasë me studentë të shkëlqyer, është me siguri rezultat edhe i konkurrencës, por kur dikush e arrin këtë në një familje, aq më tepër me anëtarë të suksesshëm, siç është familja e Valbona Zenelit, ka gisht dashuria dhe mbështetja. Një mbështetje që Valbona e thekson gjithmonë, edhe pse ajo ka studiuar fort për t’u diplomuar shkëlqyeshëm apo për të mbrojtur doktoraturën e specializimin në universitete të huaja, ku nuk njihej si vajza e ambasadorit dhe ka fituar një vend pune në Marshall Center, ku nuk ndryshon asgjë fakti që është bashkëshortja e ish-ministrit. Kjo mbështetje të heq barrat që mos të humbasësh buzëqeshjen gjatë udhëtimit, apo, edhe kur udhëtimi ta ka zbehur, ta rikthen në shtëpi me një fjalë apo një filxhan çaj që nuk e di si t’u gjend përpara. Të dy të ngrohtë.

Dhe nesër zgjohesh sërish me dëshirën për të vazhduar…

Nuk e gjen çdo vajzë në familje dhe në mjedisin që e rrethon klimën e duhur për të zhvilluar veten. Të gjitha ne njohim, në mos jemi vetë, gra që kanë dashur shumë e kanë arritur pak, gra që kanë dashur shumë e janë dashur pak. Ndoshta këto gra, mund të thonë që Valbona Zeneli nuk do i kuptonte, sepse ka pasur një jetë ndryshe nga ato dhe nuk u vë dot faj. Shoqëria është e mbushur me paragjykime për gruan, me prirjen për ta fajësuar dhe me një aleancë të munguar mes grave, që e bën edhe më të vështirë sesa pushteti i burrave, ndryshimin. Megjithatë nga diku duhet nisur.

Siç nisi lëvizja Me too, që sot i janë bashkuar gra të njohura që nuk do i mendonim kurrë me atë frazë në gojë duke u kthyer në një lëvizje të vërtetë botërore. Siç Hollywood-i la vanitetin për të themeluar lëvizjen Time’s Up, në vazhdim të Me too. Ndërkohë UN Women nxit aktivizmin e grave këtë 8 Mars, me Time is now dhe organizatat shtyjnë gratë në të gjithë botën për të ngritur zërin për dhunën, diferencimin e rrogave, padrejtësitë, për të arritur progresin që meritojnë. Duket se gratë, sot, janë më pak vetëm, sesa dje. Një grua e njohur dhe e suksesshme si Alyssa Milano, apo Ashley Judd thotë “Edhe unë”. Një tjetër, si Valbona Zeneli, e cila mund të mendonim që, me mundësitë e saj, nuk do e kuptonte kurrë një grua që ato i janë mohuar, tregon që është po aq e angazhuar në çështjet e grave duke këmbëngulur madje që kjo kopertinë, që mund të ishte shumë mirë një histori për suksesin, librin, ose familjen e saj, të përcillte një mesazh të drejtpërdrejtë, për gratë e Shqipërisë që kanë nevojë për një nxitje, që duhet të besojnë që nuk janë vetëm dhe që koha për të kërkuar ndryshimin është tani. Jo vetëm në 8 Mars. Çdo ditë, është dita e tyre. Që do të thotë një ditë më e mirë, edhe për fëmijët, familjen dhe burrat.

Valbona na bën të kujtohemi edhe një herë që te ajo, si dhe te shumë gra të tjera që takojmë në jetën tonë, gjëja më e bukur nuk janë perlat, por bota mes tyre…

Foto: Orsola Mema

Lëvizja “Me too” ka pushtuar Hollywood-in, por jo vetëm. Mendon që ka vend për një lëvizje të tillë dhe në akademi, nisur nga përvoja jote në disa institucione dhe shtete? Cili është pozicioni i gruas në këto mjedise, e ka më të vështirë një grua për të gjetur vend?

Është e vërtetë që ditët e sotme po vëmë re një ndjeshmëri të rritur në lidhje me këto probleme shqetësuese dhe forca e shtuar e zërit të grave po reflektohet në të gjitha ambientet, jo vetëm në Hollywood. Kaq shumë ka ndodhur në vitet e fundit në lëvizjen për barazi gjinore. Lëvizje si #MeToo apo edhe të tjera janë duke inspiruar gratë në të gjithë botën që të arrijnë ndryshime kritike në të gjitha frontet, nga politika, edukimi, shëndetësia, pagat e barabarta…Qëllimi është arritja e një bote më të barabartë dhe të ndershme, ku përfitimet nuk do të ishin thjesht dhe vetëm për gratë, por për njerëzimin…përfitimet do të ishin të mëdha për ekonominë, politikën, familjen, shoqërinë. Megjithëse kohët e fundit ka pasur një progres të madh, është e rëndësishme të nënvizohet se NDRYSHIMI nuk është asnjëherë i thjeshtë apo linear dhe është një betejë e gjatë që kërkon angazhim të pandërprerë dhe optimizëm.

Në planin personal, jam rritur në një familje ku barazia dhe reciprociteti kanë qenë parime bazë dhe kështu jam formuar dhe, për këtë, besoj se integriteti është themeli i të bërit karrierë, qoftë politike, akademike, apo Hollywood-iane…kjo është bindja ime. Ndoshta është dhe fati im që punoj në një institucion serioz, ku mbështetja e grave në të gjitha fushat është një nga prioritetet kryesore.

Ndërsa nga ana tjetër, mendoj se Ballkani është ende larg këtyre ndryshimeve. Mentaliteti i vjetër, kultura e pakët, varfëria ekonomike, ende rëndojnë në shoqëri dhe për rrjedhojë në potencialin e gruas. Fatkeqësisht, jemi akoma shoqëri maskiliste, ku gruaja nuk dhunohet vetëm psikologjikisht, por rëndom edhe fizikisht…Çfarë presim më shumë, çfarë fëmijësh po rrisim e çfarë shoqërie aspirojmë? Do të doja të shikoja lëvizje të tilla “MeToo” ndaj kësaj dhune…ku të përfshiheshin seriozisht të gjithë…jo vetëm me stema në xhaketa, por me politika ndryshuese. Gratë, sidomos ato të angazhuara në politikë, duhet ta marrin këtë iniciativë, në radhë të parë për veten e tyre, për të treguar se nuk janë thjesht numra dhe statistika, por fuqi pozitive ndryshimi. #TimesNow!

Meqë jemi në mars dhe gjithmonë shtrohet pyetja nëse 8 Marsi duhet të jetë festë apo protestë, ti si e mendon? Ti bën ose merr dhurata në 8 Mars?

Për të gjitha këto që thashë më sipër, duhet të jetë protestë, siç ndodh në të gjithë botën. Gjithsesi një tufë me lule është shumë e bukur për çdo grua…ama jo vetëm më 8 mars.

Tufa me lule që nuk duhet të të kenë munguar nga Igli … Çfarë ke zbuluar te ai në këto vite dhe çfarë vlerëson njëlloj si ditën e parë?

Me Iglin kemi 15 vite bashkë, e megjithëse jemi rritur e pjekur të dy, mendoj se thellë jemi të njëjtët e ditëve kur jemi njohur dhe zbulohemi çdo ditë. Jam dashuruar me forcën e integritetit të tij dhe mirësinë që përcjell në çdo moment, dhe kam zbuluar përveç dashurisë së tij, edhe respektin dhe tolerancën që rrallë e gjen gjëkundi. Jam me fat që e kam në krah.

Nëse do e përkufizoje këtë kohë me Iglin, çfarë fjalësh do zgjidhje? Ku plotësoheni e ku ngjani ju të dy?

Ne jemi sa të ndryshëm në karaktere, ku unë jam më impulsive dhe ai me i qetë dhe reflektiv, aq edhe të ngjashëm. Ndajmë vlera të përbashkëta: drejtësinë, ndershmërinë dhe mirënjohjen. Kemi të njëjtin vizion për jetën, të njëjtat dëshira dhe interesa. Megjithëse jemi kritikët më të fortë, e mbështesim shumë njëri-tjetrin, e kuptohemi pa folur. Dhe ai që plotëson lidhjen tonë është mrekullia jonë Dario.

Dario ka realizuar karikaturat e librit për çdo kapitull. Ishte vendimi i një nëne, apo mendove që libri do bëhej më pak i ngurtë me vizatimet e një fëmije?

Mendoj se kjo është pjesa më e bukur e librit…kam dëgjuar që shumë njerëz madje kanë kureshtjen për të lexuar librin për të parë nëse karikaturat e Darios i përshtaten tekstit të artikujve. Ky bashkëpunim me Darion ka qenë krejt rastësor (qesh). Idenë e karikaturave e kisha marrë nga Prof. Czinkota, i cili ka shkruar edhe parathënien e librit dhe me të cilin kam bashkautorësuar disa artikuj. Ai, gjatë viteve të fundit ka botuar disa libra të tillë që kanë qenë shumë të suksesshëm, ku ilustratori ka qenë një fitues çmimesh ndërkombëtare. Ndërsa unë dhe im shoq bisedonim se kush mund të ishte ilustruesi i artikujve të mi, Dario u hodh duke thënë se ne mund të “paguanim” atë për të bërë këtë gjë. Fillimisht na u duk për të qeshur…por pasi e vumë në provë për artikujt e parë të librit, të cilët i lexoi dhe më pas vizatoi karikaturat, na pëlqyen aq shumë. Më pas, Dario i vizatoi të 39 karikaturat vetëm për dy javë…Kuptohet që është puna e tij e parë dhe kam edhe një “kontratë” pagese të vogël për t’ia shlyer….Karikaturat i japin librit një kakakter më pak të ngurtë, më të lehtë dhe është interesante shumë sesi ato shpjegojnë çështje të sigurisë në një mënyre aq të thjeshtë dhe jo të zakonshme…

Mund ta quanim një projekt të vërtetë familjar këtë libër, sepse ti ke thënë që babai, Bashkimi, ka qenë ai që të ka nxitur ta botosh…

Siç jam shprehur ka qenë im atë Bashkimi që më ka nxitur që të botoj këtë libër. Ai ka qenë në çdo moment të jetës pas ëndrrave dhe iniciativave të mia duke më dhënë besim dhe forcë tek vetja “ëndrrat janë limiti…nëse diçka mund ta imagjinosh, atëherë mund ta bësh”. Unë nuk do të mundem ta falënderoj mjaftueshëm tim atë për frymëzimin që më ka dhënë “pas çdo vajze të suksesshme është një burrë…dhe ai është babai”. Dhe mami, Lushi ka qenë gjithmonë shtylla e familjes sonë dhe burimi i stabilitetit dhe dashurisë. Shpeshherë them se nëse “babi më jep krahë për të fluturuar, mami është ajo që më mban me këmbë në tokë” (qesh)…Duket se dashuria dhe mbështetja e prindërve është e pashtershme…jo vetëm për fëmijët, por edhe për nipërit dhe mbesat…

E ke thënë dhe më parë që Z.Bashkim dhe Dario janë shokë të ngushtë dhe që babai ka ndikuar në pasionin e Darios për librat, por ndërkohë shohim që është edhe një një piktor i talentuar…Cilat janë talentet e Darios?

Dario wshtë fëmijë shumë artistik. Vizaton shumë bukur dhe nuk di as nga e ka marrë këtë talent. Ndoshta e ka marrë nga Elsa, nëna e tij e tretë që e ka rritur dhe na ka ndihmuar shumë këtu në Gjermani, por pasioni i tij kryesor është leximi dhe besoj se kjo është arsyeja që ka qenë për dy vjet radhazi fituesi i “Spelling Bee” në shkollën e tij.

Cilat janë bashkëpunimet e tua të zakonshme me Darion në jetën e përditshme, duke filluar me përgatitjen e një pjate, apo e një qyteti me kuba?

Dario është qendra e Universit tonë, pa diskutim si për çdo familje me fëmijët e tyre. Jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin, sidomos edhe për faktin që ne jetojmë larg familjes së madhe dhe pjesën më të madhe të kohës pas shkollës, e kalojmë bashkë. Jemi me shumë fat që prindërit e mi kalojnë shumë kohë me ne në Gjermani. Lexojmë shumë bashkë, sidomos e diela është dita që u përkushtohet librave. Dario rri bashkë me tim atë, Bashkimin me orë të tëra duke lexuar e diskutuar çështje nga më të ndryshmet. Për fëmijët e kohës së sotme duhet qëndruar me enciklopedi në dorë për t’iu përgjigjur pyetjeve…shyqyr që ekziston edhe Google që të nxjerr nga situatat shpesh…(qesh). Legot janë pasioni i tij i madh, por ka Iglin partner për to…pasi unë nuk jam shumë e aftë…Pastaj ndjekja e kurseve të ndryshme sportive e të tjera… si çdo familje.

Në parathënien e librit ti shkruan që djali është 'shoku yt më i rëndësishëm'. Cili është kuptimi i kësaj? Çfarë ka ai, si shok, që nuk e gjen te bashkëshorti, motra, babai, apo një mik?

Unë edhe Igli e kemi trajtuar Darion gjithmonë si shok…mbaj mend kur ishte disa muajsh dhe Igli vinte nga puna, fillonte bënte biseda si i madh, i shpjegonte gjithë ditën e tij…e Dario e shikonte në sy dhe qeshte…Kaq shumë i flisnim, sa, sapo shkëpusnim bisedën për të folur me njëri –tjetrin, ai fillonte qante…donte vëmendje gjithë kohës. Nuk ka lidhje si të fëmijës me nënën, është më e forta dhe e sinqerta që ekziston, është sikur të shikosh veten në pasqyre…je totalisht vetvetja…nuk ka gjë më të vërtetë në botë. Kjo marrëdhënie të bën njeri më të mirë, më të përgjegjshëm, më të ndjeshëm. Gjithë bota ime rrotullohet rreth Darios.

Erdhe ta promovoje librin në Tiranë në dhjetor dhe brenda pak kohësh ke ardhur edhe dy herë të tjera për punë. Çfarë ndjesie të lë Tirana sa herë vjen? Të kanë mbetur miq këtu? Po qyteti si të duket?

Ishte një kënaqësi shumë e madhe, jam ndier jashtëzakonisht e vlerësuar nga të gjithë personalitetet që më nderuan me prezencën e tyre dhe të gjithë miqte dhe familjarët që ishin në atë event. Vërtet ishte shumë bukur dhe u jam shumë mirënjohëse për prezencën dhe për fjalët e tyre për librin, Presidentit Meta, Ambasadorit amerikan Donald Lu, kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, drejtoreshës së USAID, Catherine Johnson. Do të doja të falënderoja botuesin Henri Çili të UET Press dhe drejtoreshën Alda Bardhyli, të cilët bënë një punë të shkëlqyer në një kohë aq të shkurtër me librin, gjithçka u realizua në më pak se 2 muaj nga ideja e projektit dhe gjithë puna u bë online. Dhe për arredimin u kujdes me aq shumë shije Class Events, duke bërë diçka shumë të veçantë që i dha shumë bukuri.

Rrënjët e mia janë këtu, megjithëse, siç jam shprehur në parathënie, unë ndihem qytetare e botës pasi kam jetuar në vende të ndryshme për kohë të gjata. Këtu kam prindërit, kam familjen e madhe, kam miqtë. Ndoshta do të kisha ardhur edhe më shpesh, por prindërit tani kalojnë shumë kohë tek unë në Gjermani dhe kjo është fantastike edhe për Darion. Jo vetëm ne, por edhe motra ime që jeton prej vitesh në Itali pasi është martuar me një djalë italian, vijnë çdo vit në verë për të kaluar pushimet në Tiranë, bashkë me fëmijët, Caterina-n dhe Alvisën.

Sa bukur është të shikosh që sa herë vijmë në Tiranë ka ndryshime aq të mëdha, është bërë një qytet i vërtetë evropian dhe kënaqësia është më e madhe kur vijmë bashkë me miq të huaj dhe habiten gjithmonë nga ndryshimet në Tiranë…e kjo tregon që “volere e’ potere”. Kjo është edhe shprehja që mua dhe Darios na pëlqen dhe përdorim më shumë. Vullneti dhe puna e kryetarit të Bashkisë, Erionit së bashku me stafin e tij, tregon se ku ekziston vullneti për punë dhe vizioni, çdo gjë arrihet…është shpresëdhënëse…

Ke në dorë ose në mendje ndonjë libër tjetër?

Kam përfunduar dy kapituj librash të cilët do të dalin së shpejti në Amerikë dhe në Gjermani….temat po i zbuloj më vonë.

Nuk mund ta lëmë jashtë bisedës pamjen tënde, që, të thuash të drejtën, për një çast ta largon fokusin nga përmbajtja. Njëlloj do ndodhte edhe me një burrë të kuptohemi...Njerëzit e pashëm i shohim në reklama, rrallë në kopertina librash si autorë të tyre...Ti çfarë raporti ke me pamjen? Sa kujdesesh për të?

Faleminderit shumë për komplimentet, grave dhe kujdo u pëlqejnë apo jo?! Kujdesi për veten është pjesë e rëndësishme e jetës, është pjesë e respektit për veten…Më pëlqen shumë e bukura…e kam marrë këtë nga gjyshja ime dhe mami im Lushi…Përsa i përket kujdesit, vitet e fundit kam kuptuar rëndësinë e sportit, sidomos me rritjen e moshës, por edhe ushqimet…që baza janë perimet dhe frutat…jam pothuajse vegjetariane. Ndërsa për të tjerat, nuk kam luksin e kohës për t’u marrë me veten, …mezi pres të vij në Tiranë, të shkoj te parukierja dhe mikja ime, Linda…

Po me moshën çfarë raporti ke?

Pyetje e vështirë kjo….sidomos kur iu afrohesh 40-ave….Mbaj mend që kur mbusha 30 vjeç isha shumë e lumtur, mezi prisja…Ndërsa tani do të doja të isha 30 vjeç, por me të gjithë eksperiencat, njohuritë, dhe pjekurinë që kam tani…Mosha vërtet është individuale, është siç ndihesh ose mendon. Njoh shumë të rinj të plakur në mentalitet, dhe njerëz në moshë që kanë shpirt të ri dhe ke dëshirë të kalosh kohë me ta….Te kjo kategori e fundit hyjnë dhe prindërit e mi dhe jam fatlume pasi më bëjnë ta shoh jetën me optimizëm. Kur mendoj për moshën, mendoj për sa shumë gjëra, ide, projekte që dua të realizoj dhe gjëra që dua të mësoj akoma…

Mendoni të bëheni me një fëmijë tjetër?

E mirëpresim kur Zoti të na e dërgojë…

Je me një kontratë në Marshall Center? Mendon që do e rinovosh vazhdimisht, apo është koha për të ndryshuar karrierë dhe ndoshta vend?

Kam 7 vjet këtu dhe më duken 7 ditë pasi puna ka qenë aq intensive, aq e bukur, kam mësuar aq shumë, kam udhëtuar në vende të reja…Kam disa projekte shumë të rëndësishme në dorë aktualisht dhe do të vazhdoj të jem në Gjermani edhe për disa vite.

Nëse do të largoheshe nga Gjermania, ku do doje të jetoje?

Nuk do të ketë shumë rëndësi vendi, sesa puna që do të bëj…kam jetuar në vende të ndryshme dhe jam ndier shumë mirë…Shtëpia është aty ku është familja…nuk ka rëndësi vendi. Dhe puna duhet të jetë pasion dhe të sjellë gëzim (ashtu siç ka qenë në Qendrën Marshall), ai do të jetë vendi i preferuar…unë i besoj shumë edhe intuitës dhe çdo gjë shkon mirë me ndihmën e Zotit.

Ndalemi pak në një nga temat e librit që prek Shqipërinë, ndoshta për ta mbyllur me një mesazh me vlerë, siç dhe e nisëm. Një nga artikujt flet për pamundësinë për ta ndalur ‘ikjen e trurit’ dhe kotësinë e kësaj përpjekjeje në një kohë kur njerëzit janë të lirë të ndjekin rrugët e tyre, por ti propozoje, si kundërpërgjigje, masat për "thithjen e trurit"...A mund të përmendësh disa që mund të përdorte me sukses Shqipëria?

Nuk është aspak e vështirë të thithësh mijëra të rinj shqiptarë që shkëlqejnë aty ku studiojnë dhe jetojnë…mjafton t’u ofrosh shpresën se gjërat do të rregullohen dhe të ndjejnë që oportunitetet janë të barabarta për të gjithë. Pa diskutim, që askush nuk ka shkopin magjik që Shqipëria të bëhet nesër si Luksemburgu, por duhet të shihet trendi i duhur i përmirësimit të situatës… Kam lexuar dikë që të rinjtë nuk largohen aq shumë nga varfëria sesa nga humbja e shpresës. Për këtë duhet punuar që të rikthehet shpresa tek të rinjtë…që do të jetojnë në një vend ku të gjithë janë të barabartë ndershmërisht para ligjit, e nuk ka zbatime të ndryshme për të varfërit dhe të pasurit. Shtresëzimi i thellë social është shumë i rrezikshëm, sjell thyerjen e kohezionit social, që është ajo që mban në këmbë një shoqëri.

Design: Petro Kosho