Jeta private e personazheve publike, prej kohësh nuk është më e tillë, ndaj edhe kujdesi i tyre është maksimal për ta mbajtur atë sa më larg vëmendjes së publikut, ndonëse nuk ia dalin gjithmonë. Objekt i mediave këtë herë është bërë Dafina Zeqiri, e cila, prej shumë vitesh nuk është parë e as takuar me të atin, Nebi Bajraktari. Së bashku me të ëmën dhe dy motrat, Besën dhe Tringën, Daffy është larguar kur ka qenë vetëm disa muajshe drejt Suedisë, ndërsa i ati në atë kohë ishte një i burgosur i policisë serbe. Sipas revistës kosovare, “Kosovarja”, Dafina mban mbiemrin e së ëmës, sepse ishte shumë e vogël kur lanë Kosovën dhe u ndanë nga i ati.

Dafina dhe Besa Zeqiri

Revista shkruan zoti Bajraktari ka bërë disa herë përpjekje për t’u takuar me të bijën, por me sa duket, asnjëra nuk ka dhënë rezultat. Madje, në një intervistë të para disa kohëve për mediat kosovare, z. Bajraktari i ka bërë thirrje së bijës: “Kisha një lutje, vetëm një orë të takohem me të dhe të bisedoj që t’ia tregoj të vërtetën. Jam një baba që e dua shumë. Sikur të ishte e mundur, do bëja gjithçka që është e lejuar dhe e ndershme, vetëm që ta dijë të vërtetën sikur e motra e saj, Besa.”

Besa Zeqiri, motra e Dafinës, me sa duket është takuar me të atin, pas 21-vjetësh. Megjithatë, ndryshe nga e motra, ajo mban ende kontakte me të atin.

Në numrin e fundit të saj, revista “Kosovarja” citon fjalët Nebi Bajraktarit, kur është pyetur se si ndihet për artikujt mbi jetën private të së bijës. Pavarësisht se ai tani është martuar dhe ka pesë fëmijë, thotë se është shumë i prekur dhe ka një dhimbje të madhe në zemër, sa herë lexon shkrime për të bijën.

Por pas këtyre deklaratave, ka ardhur menjëherë reagimi i Besës, motrës së Dafinës, e cila ka thënë se: “Ai, asnjëherë nuk ka tentuar dhe as nuk është përpjekur të na kontaktojë, deri kur Dafina u bë e famshme. Besoj, nuk ka nevojë për më shumë përgjigje. Ne jemi fëmijë të braktisur nga babai. E falënderojmë mamin që na rriti.”

Ndërsa vetë Dafina, nga ana tjetër, nuk ka dashur të prononcohet për këtë temë. Prej vitesh ajo nuk e njeh dhe as nuk e mban mend të atin: “Nuk dua të flas për atë temë. Më kanë thënë se kam qenë vetëm 5 muajshe në atë kohë. Ndërsa tani u bënë 25 vjet. Ndoshta njëherë tjetër mund ta ezaurojmë si temë.”

Dafina, ndërkohë, vijon karrierën artistike me projekte dhe koncerte të ndryshme muzikore. Vetëm pak javë më parë, ajo ka publikuar edhe klipin e fundit, "Shumë qejf", i cili ka shënuar rekord klikimesh vetëm pak ditë pas publikimit.