Ka më shumë se 15 vjet në televizion dhe tani ndihet në një fazë të përgjegjshme të karrierës së saj televizive. Prej disa ditësh, Anjeza Maja është spikerja kryesore e edicionit të lajmeve në Televizionin Publik Shqiptar. Ndonëse e mësuar me botën e spektakleve, ky profil i spikeres brenda studios së lajmeve është një eksperiencë e re, e bukur, e sigurt dhe me shumë përgjegjësi.

Në një intervistë për gazetën “Paloma”, Anjeza rrëfen për ndjesitë e saj të reja brenda studios së lajmeve, stafetën e marrë nga gazetarja e njohur e TVSH-së, Tefta Radi, si dhe planet që ka në botën e spektaklit. Pavarësisht ndryshimit të profilit dhe disa rregullave statike që ka TVSH, ajo thotë se imazhi i saj i ri do të ketë pak nga të gjitha: “... unë do të jem Anjeza që kam qenë, thjesht do informoj publikun për lajmet më të fundit, do të jem e veshur sipas moshës, modës dhe fashës së orarit. Nuk do të jem statike, por me masë, pasi besoj se tani jam në një fazë që mund të kuptoj se kur është mirë një figurë televizive, si lexohet një fjali, si duhet të jetë diksioni, pra të gjitha këto më bëjnë të kontrollohem dhe të jem e pranueshme për publikun.”
Pa u shkëputur nga bota e spektaklit, aty ku ajo ndihet si në shtëpinë e vet (vetëm para ditësh drejtoi Festivalin Folklorik të Gjirokastrës), Anjeza thotë se kjo fazë e karrierës është momenti i duhur për një pozicion më profesional dhe me përgjegjësi: “Mendoj se është momenti i duhur që të zë një pozicion më profesional, me më shumë përgjegjësi, në bazë të gjithë eksperiencës që kam. Ka përfunduar koha e spektakleve për mua”, - ka thënë Anjeza për gazetën.
