Shumë kompani private të mëdha në botë kanë tentuar që ta bëjnë fakt javën 4-ditore të punës, një prej sfidave më të mëdha të jetës sonë dinamike. Nga analiza e një kompanie për këtë ritëm pune, jo vetëm nuk pati rënie produktiviteti, por përkundrazi, katër ditët e punës kanë pasur një përkushtim maksimal, edhe më të madh të stafit, dhe ulje të ndjeshme të niveleve të stresit.

Një kompani shërbimesh financiare në Zelandën e Re, “Perpetual Guardian”, provoi ta zbresë në katër ditë javën e punës, nëntorin e vitit të kaluar, por pa ndryshuar pagesën e punonjësve. Rezultati ishte produktivitet më i lartë i punonjësve gjatë 4 ditëve, madje nuk pati as tkurrje të nivelit total të punës.

Eksperimenti u monitorua edhe nga akademikë të Universitetit të Aucklandit, të cilët vunë re se në radhët e stafit, niveli i vlerësimeve të dhëna për lidership, stimulim, fuqizim e përkushtim patën rritje të ndjeshme, krahasuar me vitin 2017. Niveli i stresit, ndërkohë, zbriti nga 45 në 38 për qind.

“Ne u trajtuam si të rritur dhe rezultati ishte që u sollëm si të rritur e si njerëz të përgjegjshëm”,- tha menaxherja Tammy Barker për katër ditët e punës.

Eksperimenti është ndjekur me kujdes edhe nga punëdhënës e politikëbërës në të gjithë botën, gjë që ka shtuar shpresat për një ekuilibër më të mirë në të ardhmen mes jetesës së shëndetshme dhe punës, e cila, sipas ekspertëve, nuk duhet të marrë më pjesën më të madhe të ditës sonë.