Shqipëria mbetet një nga vendet më të cënueshme nga pasojat e Covid-19, që lidhen me karakteristikat e ekonomisë së saj, si niveli i lartë i vetëpunësimit dhe informalitetit. Shkalla e papunësisë pritet të arrijë nga 40% që është sot, deri në 48% (numri i pesonave që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, sipas fuqisë blerëse).

Sipas një raporti të fundit të bankës Botërore, që vlerëson se si COVID-19 Mund të Ndikojë në Varfërinë dhe Mirëqënien e Familjeve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht të rrezikuar janë personat e vetëpunësuar, me punësim informal dhe ata me punë të përkohëshme ose me kontrata jo shumë të sigurta.

Masat e qeverisë në përgjigje ndaj krizës, të cilat ndihmojnë firmat në sektorin formal të ruajnë vendet e punës nuk do të mund të arrijnë drejtpërdrejt te punësuarit informalë. Shumë prej këtyre të punësuarve informalë ose të të vetëpunësuarve nuk janë përfitues të të asistencës sociale, mjetit të fundit mbrojtës të rezervuar për më të varfërit, duke i lënë ata të pambrojtur. Rreth 14 deri 33 për qind e të punësuarve në sektorët shumë të prekur nga kriza e COVID19 në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë të vetëpunësuar, e për këtë arsye ata janë edhe më të cenueshëmit (Figura 1). Kjo përqindje është veçanërisht e lartë në Shqipëri dhe Kosovë.

Gati një e treta e punëtorëve në sektorët e prekur nga kriza, kryesisht në Shqipëri dhe Kosovë, janë të vetëpunësuar dhe veçanërisht të rrezikuar ndaj humbjes së të ardhurave.

Varfëria mund të arrijë në 48%

Shqipëria: Kriza e shkaktuar nga COVID-19 dhe masat kufizuese pritet të përmbysin arritjet e fundit në drejtim të reduktimit të varfërisë në Shqipëri. Në Mars, Shqipëria vendosi të mbyllë hotelet, teatrot dhe aktivitetet e tregtimit të artikujve jo-jetik si dhe kufizoi lëvizjen e njerëzve si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Shumë sektorë të industrisë, përfshirë tekstilet, minierat, qendrat telefonike dhe ndërtimi, u detyruan të zvogëlojnë veprimtarinë për shkak të zbatimit të masave për distancim social por edhe për shkak të rënies së kërkesës si rezultat i kolapsit të porosive për eksport. Ka gjasa që edhe emigrantët shqiptarë të preken nga kjo krizë globale, e cila çon në reduktim të të ardhurave e për rrjedhojë edhe të remitancave.

Sipas simulimeve të kryera për këtë shënim vlerësohet se shkalla e varfërisë në Shqipëri mund të rritet me 4 deri në 8 pp, duke shkuar në rreth 40 për qind në skenarin e parë dhe 44 përqind në skenarin e dytë. Kështu pra, sipas skenarit më optimist, varfëria do të arrinte në nivelin e vitit 2012 dhe, sipas skenarit më pesimist, ajo do të ishte e barabartë me nivelin e vitit 2005.

Meqenëse shumica e njerëzve që punojnë në bujqësi janë tashmë të varfër, dhe simulimi nuk supozon ulje të të ardhurave në bujqësi, rritja e varfërisë do të vijë kryesisht si rezultat i njerëzve në qytete të cilët punojnë në sektorin e shërbimeve dhe pritet të humbasin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre.

Simulimet për Ballkanin

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore për Ballkanin,  humbjet në të ardhura ka të ngjarë të vërehen në të gjithë segmentin e shpërndarjes së të ardhurave.

Të ardhurat mesatare të familjeve supozohen të bien nga 3 deri në 12 për qind në të gjashtë vendet e rajonit. Figura 4 ilustron rënien në segmentet e shpërndarjes së të ardhurave për shkak të COVID-19.

Humbjet në të ardhura për individët dhe familjet në kuintilin më të varfër mund të variojnë nga 3 për qind në BH deri në 5 për qind në Kosovë sipas skenarit 1, ose do të dyfishohen sipas skenarit 2. Të varfërit në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, mbështeten më shumë në të ardhura të ndryshme nga puna dhe më pak në të ardhura nga punësimi në sektorët më të prekur nga COVID-19. Megjithatë, duke qenë se familjet e varfra nisen nga një bazë e ulët e të ardhurave që para krizës, humbja e të ardhurave mund të vërë në rrezik aftësinë e tyre për të plotësuar nevojat bazë dhe për të investuar në fazat kritike të zhvillimit njerëzor. Personat në kuintilin e dytë deri në atë të pestë do të përballen me ulje më të mëdha të të ardhurave, pasi të ardhurat që vijnë nga sektorët më të prekur nga kriza përbëjnë një pjesë më të madhe të totalit të të ardhurave të tyre.

Burimi:Monitor