Ku e kemi marrë idenë e çmendur që për t'i bërë fëmijët të ndihen më mirë, së pari duhet t'i bëjmë ata të ndihen keq?!

Kur hasen me këtë fjali prindërit dhe mësuesit shtangen dhe kuptojnë se kjo është vërtet një çmenduri. Por kur hasen me një sjellje të gabuar të fëmijës, kjo është teoria që e sjellin në praktikë, shpeshherë jashtë kontrollit të tyre.

Pse ndëshkimi te fëmijët është i gabuar dhe jo efektiv? Sa e sa herë ne si mësues dhe si prindër kemi përdorur taktika ndëshkuese si në shkollë dhe në shtëpi, por nuk kemi parë veçse disa rezultate afatshkurtër.

Jane Nelson, shkrimtarja e famshme amerikane dhe autorja e serisë së librave të suksesshëm si “Disiplina Pozitive”, thotë: “Eliminoni ndëshkimin, sepse ndëshkimi ka efekte negative afatgjatë te femijët.”

Sipas Nelson, ndëshkimi nuk sjell tjetër veçse një qetësim ‘momental’ të situatës dhe një ndikim shumë të madh dhe negativ të mëvonshëm në jetën e fëmijës.

Sa e sa herë e keni ndëshkuar fëmijën tuaj për të njëjtin gabim? Keni përfunduar duke u thënë të afërmëve apo kolegëve tuaj: ‘Fëmija po ma sjell në majë të hundës!’; ‘Më çmendi!’;  ‘Nuk kupton!’, të gjitha këto janë fraza që i dëgjojmë nga shumë prindër ose mësues sot.

Por a keni provuar t’i kuptoni këta fëmijë se përse gabimi përsëritet disa herë dhe ndëshkimi juaj nuk po funksionon? Sigurisht që përgjigjia është “Po” dhe se të gjithë mendojmë se jemi më të mirët. Por askush nuk është perfekt dhe të gjithë po mësojmë, sidomos në këto kohë kur bota po ndryshon me hapa të mëdhenj dita-ditës.

Atëherë përse të mos e kuptojmë të njëjtën thënie nga Nelson dhe ta vendosim atë në praktikë:

“Gabimet janë mundësi fantastike për të mësuar”.

Në shoqërinë tonë ne jemi të mësuar të kemi turp nga gabimet që bëjmë. Ne jemi të gjithë jo-perfekt. Çfarë duhet të ndryshojmë ne, është këndvështrimi mbi jo-perfeksionin dhe ta pranojmë atë. Nuk ka asnjë njeri perfekt në këtë botë dhe ne sërish e kërkojmë këtë gjë te të tjerët dhe sidomos te fëmijët tanë. Nëse për këtë gjë fëmijët gabojnë, atëherë përse ne zgjedhim ndëshkimin dhe nuk u japim fëmijëve mundësinë për të mësuar nga këto gabime?

Nëse ne përdorim ndëshkimin si reagim ndaj këtyre gabimeve, a do kenë mundësi që fëmijët të mësojnë prej tyre? Përgjigjja është: Sigurisht që jo!

Atëherë çfarë është ajo që duhet të bëjmë ne si prindër dhe mësues?

Mbyllni pak sytë dhe kujtoni mesazhet që keni marrë nga prindërit tuaj dhe mësuesit, rreth gabimeve kur keni qenë një fëmijë. Si kanë qenë këto mesazhe? Kur ju keni bërë një gabim, a keni marrë mesazhin se jeni të pavlerë, të parëndësishëm dhe 'të këqinj’, sepse po dënoheni për një gabim që keni bërë? Apo ju është dukur e pafalshme?

Shumë prej nesh do u përgjigjen këtyre pyetjeve me ‘Po’, për faktin se kjo është ajo çfarë ndëshkimi sjell te fëmijët që dënohen për gabimet që bëjnë.

Ndëshkimi i bën femijët të ndihen të pamotivuar për të qenë pozitivë në rrethanat pasardhëse dhe u vjedh mundësinë për të mësuar nga gabimet e tyre.

Ndëshkimi i bën fëmijët të ndihen si ‘njerëz të këqinj’ duke i vendosur ata para ndjenjës së fajit, gjë që te femija sjell ripërsëritjen e sjelljes së gabuar. Dhe nga ana tjetër mirëkuptimi dhe afrimiteti me fëmijën në rastet kur ka gabuar sjell, një ndikim afatgjatë pozitiv tek ai, duke i dhënë shansin të kuptojë gabimin e bërë dhe mundësinë për ta korrigjuar atë.

Duke e marrë në tëresi këtë artikull duhet thënë se shumë studime tregojnë se fëmijët e ndëshkuar shfaqin vazhdimisht më shumë sjellje të gabuara. Jo sepse fëmijët që sillen keq ndëshkohen më shpesh, por sepse fëmijët që ndëshkohen shpesh sillen më keq.

Shkruar për revistën Class nga Zeli Koldashi, ish-pedagoge e jashtme e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.