Të kthehet apo jo dënimi me vdekje? Mes ngjarjeve makabre e të kobshme të krimit në familje që po shtohen fatkeqësisht dita-ditës, dilema është mjaft tunduese.
Së fundmi vrasja e Liridona Ademaj ka tronditur të gjithë opinionin publik, duke ngjallur edhe reagime të shumta dhe duke bërë që shumë t’i rikthehen mendimit se duhet të rivendoset dënimi me vdekje.
Nga njëra anë njerëzit mendojnë se kjo është mënyra më e thjeshtë dhe më e mirë për të luftuar krimin e paskrupullt. Nga ana tjetër, janë ata që argumentojnë se "Vrave, të vrasim", është moto mesjetare dhe jo në shoqërinë që jetojmë sot!
A mundet që drejtësia që nuk vret, pra pa dënim me vdekje, të mposhtë dënimin me vdekje si krim, si padrejtësi? Kjo është dilema.
Dënimi i fundit me vdekje në vendin tonë është dhënë më datën 15 Mars të vitit 1995. Asokohe, Shqipëria ishte në qendër të kritikave për ligjet e saj mbi dënimin me vdekje nga institucionet kryesore evropiane. Më 29 qershor 1995 parlamenti i atëhershëm në drejtimin e Pjetër Arbnorit miratoi ligjin nr. 7959, për aderimin e Shqipërisë në Statusin e Këshillit të Evropës. Ky akt i parlamentit ndalonte automatikisht dënimin me vdekje, për shkak të kritereve që impononte statusi i ri. Me miratimin e këtij akti Shqipëria hyri në fazën e "pezullimit me afat të pacaktuar" të dënimit me vdekje deri kur në vitin 1999 një vendim i posaçëm i Gjykatës Kushtetuese i dha një zgjidhje përfundimtare çështjes duke hequr tërësisht dënimin me vdekje nga Kodi Penal dhe duke rrëzuar plot 18 nene të Kodit Penal.
Në tetor 1998 Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi Protokollin Nr.6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore te Njeriut, në nenin 1 të së cilës thuhet “Dënimi me vdekje do të hiqet”. Ndërkohë që me vendimin e Gjykata Kushtetuese në datë 10.12.1999 që shpalli si antikushtetues dënimin me vdekje në Shqipëri mori fund edhe juridikisht çështja e dënimit kapital, edhe pse kishte më shumë se 6 vite që nuk ishte kryer asnjë ekzekutim.
Rreth 145 vende, që përfaqësojnë më shumë se 75% të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, tashmë e kanë ndaluar përdorimin e dënimit me vdekje, janë duke e hequr atë nga kodi i tyre penal, ose nuk kanë ndërmarrë ekzekutime të tilla për një kohë të gjatë.
Shqipëria është pjesë e Këshillit të Evropës. Bjellorusia është i vetmi vend i kontinentit evropian që e ka dënimin me vdekje, dhe i vetmi vend evropian që nuk është anëtar i kësaj organizate të madhe të respektimit të të drejtave të njeriut në kontinent. Rikthimi i dënimit me vdekje do ta radhiste Shqipërinë krah për krah me diktatorin Lukashenko.
Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, ku Shqipëria kërkon të aderojë, prej dekadash nuk e kanë dënimin me vdekje. Madje janë në ballë të frontit global kundër dënimit kapital.
Çfarë do të bëhet me Shqipërinë nëse do të rikthente dënimin me vdekje? Dalja nga Këshilli i Evropës dhe stopimi i rrugës drejt Bashkimit Europian do të ishin të menjëhershme.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e njeh Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut të barabartë me veten dhe shfuqizimi i Konventës do të kërkonte më parë ndryshime kushtetuese, të cilat sigurisht nuk parashikohen në asnjë moment të bëhen me iniciativë nga populli.
5 arsye pse dënimi me vdekje nuk ka pasur rezultat
– Traktati ndërkombëtar për të drejtat e njeriut – Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese – synon të parandalojë veprime të tilla. Hulumtimet tregojnë se 3% e ekzekutimeve ndërmjet viteve 1890-2010 ishin “të gabuara”.
– Dënimi me vdekje prek në mënyrë disproporcionale grupe të caktuara- Studimet tregojnë se të sëmurët mendorë, njerëzit me ngjyrë dhe të varfërit përbëjnë shumicën e të dënuarve me vdekje.
– Dënimi me vdekje mund të përdoret si mjet për kontroll, jo drejtësi- Në teori, dënimi me vdekje synohet të përdoret vetëm si dënim për krimet më të rënda, si vrasja. Megjithatë, në disa vende të botës, qeveritë përdorin ekzekutime për krime jo vdekjeprurëse. Këtu përfshihen veprat penale të lidhura me drogën, vjedhjet, tradhtia bashkëshortore, blasfemia dhe krimet politike.
– Nuk mund të zhbëhet nëse zbulohen prova të reja- Ajo që e bën të dallueshëm dënimin me vdekje nga burgimi i përjetshëm është se gjykimi nuk mund të anulohet. Është një dënim përfundimtar. Pra, po sikur të zbulohen prova të reja dhe të rezultojë se i burgosuri ishte i pafajshëm?
– Nuk e pengon krimin- Fakti që nuk parandalon krimin mund të jetë arsyeja më domethënëse pse dënimi me vdekje është i gabuar. Sondazhet dhe statistikat kanë treguar se dënimi me vdekje nuk ka ulur shkallën e krimit.