Ai njihet si Robinson Crusoe i Italisë pasi kaloi më shumë se 30 vjet si i vetmi banor i një ishulli idilik në brigjet e Sardenjës. Por Mauro Morandi po i jep lamtumirën kasolles së tij të vogël në ishullin Budelli pasi autoritetet lokale e kërcënonin vazhdimisht atë me dëbim. 81-vjeçari, i cili jeton në ishull që nga viti 1989, njoftoi largimin e tij në një mesazh në faqen e tij të Facebook javën e kaluar.

"Unë do të largohem," shkroi ai, duke shtuar se shpresonte që Budelli të mbrohet siç ka bërë ai për 32 vjet. Ai gjithashtu tha se ishte vërtet i inatosur nga kjo situatë.

Ish-mësuesi përfundoi në ishullin mahnitës me rërë rozë ndërsa përpiqej të lundronte nga Italia në Polinezi. Ai më parë ka treguar se si u hipnotizua menjëherë nga vendi dhe vendosi të qëndrojë, duke marrë përsipër rolin e kujdestarit të ishullit pak kohë pasi mbërriti.

Sidoqoftë, roli i kujdestarit u shua kur Parku Kombëtar i La Maddalena mori pronësinë e Budelli-t në vitin 2015. Që nga ajo kohë, Morandi ka kaluar vite duke u grindur me zyrtarë, të cilët thonë se ai nuk ka të drejtë ligjore të jetë atje tani dhe duke luftuar kundër planeve për të rikonstruktuar shtëpinë e tij në një vëzhgues mjedisor.

"Unë jam gati të bëj gjithçka që mundem për të qëndruar këtu, edhe nëse kjo do të thotë që ata do të duhet të më heqin me forcë nga këtu", tha ai për CNN Travel në italisht vitin e kaluar. "Unë nuk do të dija ku tjetër të shkoja të jetoja, sigurisht nuk do të kthehesha përsëri në shtëpi në veri, as s’do dija çfarë të bëja - kjo është jeta ime. Unë thjesht nuk e shoh veten duke luajtur letra ose bowling."

Morandi gjithashtu pranoi se ai ishte i shqetësuar për të ardhmen e vendit që ai ka mbrojtur me kaq forcë për 32 vjet.

"Vetëm dje unë përzura dy turistë të cilët po shkelnin në plazhin rozë jashtë kufijve," tha ai. "Unë pastroj mbeturinat nga rëra dhe i ndaloj njerëzit të vijnë këtu për të dëmtuar mjedisin gjatë natës. E vërteta është se unë jam i vetmi që deri tani jam kujdesur për Budellin, duke bërë detyrën e mbikëqyrjes që duhet të bëjnë autoritetet e parkut".

Ai ka marrë shumë mbështetje nga dashamirësit dhe një peticion në internet që ai të qëndrojë në ishull ka arritur mbi 70,000 nënshkrime. Megjithatë Morandi tani ka pranuar largimin. Por duket se ai nuk do të shkojë shumë larg, duke gjykuar nga postimi i tij në Facebook.

"Ju do të vazhdoni të shihni fotot e mia nga një vend tjetër. Sardenja është e gjitha e bukur," shkroi ai.

Në janar 2020, presidenti i Parkut La Maddalena, Fabrizio Fonnesu, i tha CNN se autoritetet nuk kishin zgjidhje tjetër përveç "të ndërhynin kundër të gjitha ndërtimeve të paligjshme brenda parkut", duke përfshirë kasollen e Mauro-s.

"Askush nuk dëshiron ta largojë, por si mund të qëndrojë kur ishulli nuk është më privat," tha Fonnesu. "Nëse në të ardhmen do të ketë nevojë për të pasur një kujdestar, ne mund të rishikojmë pozicionin e tij, por kur të fillojnë punimet ai duhet të largohet."

Në një deklaratë dhënë CNN, parku La Maddalena tha se në ishull po bëhen punime për të prishur strukturat e ndërtuara në mënyrë të paligjshme, për të rritur efikasitetin e energjisë dhe për të zëvendësuar sinjalistikën në ishull. Ndërsa njohu "rolin e rëndësishëm të ish-kujdestarit të parkut", deklarata tha se Morandi ishte zhvendosur për arsye sigurie, si dhe për të lejuar që punimet të zhvilloheshin.

Burimi: CNN