Një mjeke kanadeze ka ndarë gëzimin e saj pas lindjes së një fëmije "mrekulli" gjatë një fluturimi gjatë natës për në Ugandë. Dr Aisha Khatib, një profesore në Universitetin e Torontos, ishte në fluturimin e Qatar Airways nga Doha në Entebbe kur dëgjoi një thirrje.

Një punëtore migrante nga Uganda, që po udhëtonte për në shtëpi nga Arabia Saudite, ishte gati të lindte fëmijën e saj të parë. Fëmija, në fillim të javës së 35-të, lindi i shëndetshëm dhe u emërua Miracle Aisha, sipas doktoreshës.

Dr Khatib, e lodhur nga një orar rraskapitës i punës në Toronton e prekur nga koronavirusi, po shijonte një pushim në pjesën e tretë të udhëtimit të saj. Por ajo nuk hezitoi kur një zë pyeti nëse kishte një mjek në bord.

"Unë shoh një turmë njerëzish të mbledhur rreth pacientes," tha Dr Khatib për BBC News.

Në këtë pikë ajo po supozonte se ishte një situatë kritike, si një atak në zemër.

"Sa u afrova, pashë këtë grua të shtrirë në ndenjëse me kokën në drejtim të korridorit dhe këmbët drejt dritares. Dhe foshnja po dilte jashtë!"

Dr Khatib u ndihmua nga dy pasagjerë të tjerë - një infermiere onkologjike dhe një pediatër. Foshnja po qante me të madhe. Pas një kontrolli të shpejtë, ajo e kaloi foshnjën te pediatri për një inspektim më të afërt.

"Unë e pashë fëmijën dhe ajo ishte mirë, pashë edhe nënën dhe ajo ishte gjithashtu mirë," thotë Dr Khatib. "Kështu që unë thashë: ‘Urime është një vajzë’. Pastaj i gjithë avioni filloi të duartrokiste dhe brohoriste. Pjesa më e bukur e historisë është se ajo vendosi t'i vinte fëmijës emrin tim."

Si dhuratë, mjekja i dha Miracle Aishes varësen e arit që mbante me emrin Aisha të shkruar në arabisht.

"Mendova t'ia jepja asaj dhe ajo do të ketë një shenjë të vogël të mjekes që e priti atë 10.000 metra në ajër ndërsa po fluturonte mbi Nil."

Lindja ndodhi më 5 dhjetor, por Dr Khatib ka qenë shumë e zënë duke trajtuar pacientët me Covid në Toronto dhe i ndau fotot vetëm këtë javë.

/BBC