Eni Çobanin jemi mësuar ta shohim gjithmonë në studion e programit "E diela shqiptare", ku ajo drejton një pjesë shumë të ndjekur, "Shihemi në gjyq". Megjithatë, mbrëmjen e djeshme, juristja shumë e dashur për publikun, ishte në një format tjetër, personazh i taksisë së Rudina Dembacajt në programin "Mos i fol shoferit".

Gjatë intervistës Rudina e pyeti juristen edhe si e ka përjetuar imitimin që i është bërë nga Agron Llakaj në programin “Al Pazar” që transmetohet në Vizion Plus, ku aktori krijon atmosferën e "Shihemi në gjyq", por në personazhin e saj mbledh copëza edhe nga personazhe të tjerë, siç janë fjalët e shkruara në trup që i solli për herë të parë në ekranin tonë, Ema Andrea në jurinë e "Dancing with the stars Albania", po në Vizion plus.

Çobani, ndryshe nga ç'mund të imagjinonim, tregoi që ky imitim nuk i ka pëlqyer aspak. Sipas saj, ai i ka shpërfytyruar figurën.  

Ajo tha që miqtë habiten sesi nuk kërkon të drejtën e saj duke u përballur me aktorin para ligjit, por Eni ka thënë që i vjen mirë që po i jep të drejtën të hajë bukë. Shihet qartë që juristja është e hatërmbetur, përderisa thotë këto fjalë për një aktor që për vite me radhë "ka ngrënë bukë" me talentin e tij. Në atë taksi, në atë çast, ishte e sigurt që ishin dy gra që kishin hatërmbetje me Agron Llakajn sepse pak më parë edhe Rudina Dembacaj e ka akuzuar atë që ka gënjyer për arsyet e largimit të saj nga programi i humorit që ai drejtonte.

Video, nga minuta 23'.

Eni me siguri i njeh ligjet mirë dhe dëmtimi i imazhit është i dënueshëm, por bëhet fjalë vetëm për një spektakël humori. Megjithatë sa kohë nuk e kemi provuar në lëkurë ç'do të thotë, nuk kemi sesi gjykojmë qëndrimin e juristes. Edhe pse do ishte më bukur ta kishte marrë me sportivitet, siç edhe tha që nuk e ka problem imitimin, duke përjashtuar këtë rast, që sipas saj i shpërfytyronte figurën.