“Në kurthin e Piter Pan” ka filluar të zbulojë një nga një surprizat e para. Një javë para se të nisë transmetimin në ekran një prej programeve më të dashura të të gjithë familjes, duke nisur që nga 19 marsi do të mbërthejë pranë ekranit edhe publikun shqiptar, të vegjël e të mëdhenj.

Janë të paktën 10 fëmijë që do të rrinë çdo të hënë në një panel që do të provokojnë çdo të ftuar. Javë pas jave, karakteret do të shtohen, do të ndryshojnë duke i dhënë kështu programit javë pas jave surpriza dhe emocione të gjalla.

I ftuari i parë që do të jetë ogur i Piter Panit është Ermal Mamaqi, i cili do të përballet me pyetjet pikante të vogëlushëve. Tani që sapo është bërë baba për herë të dytë, Ermali duhet të jetë i përgatitur jo vetëm për veten, por edhe për Amin.... Kush e di se ç’duan të mësojnë fëmijët.

Dhe pas Ermalit, e ftuar është edhe Xhensila Myrtezaj. Më në fund! Në një kohë kur të gjithë janë sy e veshë për të marrë konfirmimin e lajmit të shumëpritur, Xhensila vendos të na mbajë edhe ca ditë në ankth.

Sapo Alketa Vejsiu ka postuar foton e Xhensilës në Instagram për t’u kërkuar të gjithë fëmijëve pyetjet për të, e menjëhershme ka qenë pyetja “Kur i do kaq shumë fëmijët, pse nuk bën një vetë që të përqafosh përherë?”

E hëna, me siguri, do të jetë ‘gjyq’ edhe për Xhensilën. Nëse akoma nuk e ka ndarë mendjen për ta ndarë lajmin e bukur të pritjes së ëmbël me të gjithë, nëse është vërtet në pritje të fëmijës së parë, kjo nuk duhet të jetë me sekret. Fëmijët nuk duhen gënjyer. Sidomos ata të Piter Panit...

Sepse dinë mjeshtërisht të zbulojnë çdo sekret ....