Humori i hollë dhe batutat e spikatura e kanë shoqëruar në çdo rol që ka marrë përsipër të interpretojë. Disa prej karaktereve të Rudina Dembacajt dhe mjaft nga batutat e saj edhe sot janë pjesë e gjuhës së përditshme. Publiku, në çdo sfidë të saj të re, e ka duartrokitur dhe mbështetur, ndaj, pa dyshim, edhe në këtë sfidë të re, Rudina do t’ia dalë me sukses.

Ishte një kimi e menjëhershme ajo mes Rudinës dhe producentes Alketa Vejsiu në sezonin e fundit të Dance With Me. Aktorja e pranonte edhe vetë që nuk ishte më e mira në kërcim (edhe Albi ia vinte në dukje vazhdimisht), por kush e vuri re këtë para humorit me të cilin ajo kënaqte çdo të hënë publikun në sallë dhe atë që e ndiqte nga shtëpia? Kjo përshtatje e menjëhershme edhe në formate që nuk janë arma e saj e fortë solli edhe bashkëpunimin e radhës, sërish me Tv Klan dhe me producentet Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu.

Që do të vinte shumë shpejt një program i ri në të cilin Rudina do të bëhej pjesë, Alketa e deklaroi publikishte në Dance With Me dhe tani është koha.

Së bashku me produksionin, Rudina ka nisur nga puna për natën e parë të “Në kurthin e Piter Panit” dhe rolin e saj të vërtetë do ta zbulojmë natën e parë, më 19 mars.

Se si do kombinohet me Alketën dhe ç’hapësirë do të ketë Rudina, ende nuk është e qartë, por ajo që garanton produksioni është, pa asnjë dyshim, shumë argëtim, shumë humor dhe të qeshura pa fund. Mjafton të mendoni fëmijë dhe mes tyre Rudina Dembacaj… Ju vjen që tani për të qeshur apo jo?