Të ngrejë dorën kush nuk është habitur kur ka parë këngëtaren Semi Jaupaj në skenën e “The Voice of Albania” si konkurrente. Tani, ulni duart (duhet pak gjimnastikë) dhe ngrini dorën ju që ndjetë diçka të gabuar në këtë pjesëmarrje. Shumë prej jush mund të ketë menduar që nuk ka pse një këngëtar me përvojë të marrë pjesë në një talentshow, por, po ta analizosh mirë kuptohet që, shkak i zhurmës, më shumë sesa vitet e përvojës, janë daljet në ekran të pjesëmarrësve. Të mos ishte kështu, zërat kundërshtues do kishin nisur që me Marsela Çibukaj, vendi i dytë në The Voice of Albania 1, që vinte nga skenat lokale italiane e do vazhdonin të dëgjoheshin për gjithë të rinjtë që, brenda apo jashtë Shqipërisë, këndonin live në qytetet e tyre. Dhe të tillë nuk ka pasur pak në edicionet e “The Voice”. Po të nxiteshin prej përvojës, këtë edicion, këta zëra nuk kishin pse arrinin notat më të larta me Semin. Do shenjestronin njëlloj Olsa Ballgurin për shembull, të skuadrës së Alma Bektashit, e cila ka 10 vite që këndon live në skenat e Vlorës, që kur mori pjesë te “Ethet e së premtes mbrëma”. Ose, më shumë sesa pjesëmarrjet në festivale dhe klipet e Megi Laskës, do numëronin vitet e saj në skenë, që janë dyfishi i atyre të Olsës. Megi ka kënduar që 4 vjeç në skenën e TOB-it dhe pas festivaleve të fëmijëve, ka marrë pjesë në Star Academy 2, katër herë në Top Fest, tri herë në Festivalin e RTSH-së si back vocal, back vocal edhe në spektaklet “E diell” dhe “E diela shqiptare” dhe ka realizuar tre klipe. Këto e kanë bërë të njohur si këngëtare, ashtu si dhe Semi Jaupajn, ndryshe nga konkurrentët e tjerë që mund t’i njohim vetëm nëse banojmë në të njëjtën lagje me ta. Prandaj publiku ka të drejtë të çorientohet. Në këtë spektakël do zbulohen zëra të rinj, apo do dëgjojmë ata të njohurit?! Madje edhe të kundërshtojë.

Megjithatë, ka diçka që vendos, si ajo peshorja e statujës së Justicias, që qëndron në baraspeshë, edhe pse vetë Zonja Drejtësi i ka sytë e lidhur duke të kujtuar trajnerët e The Voice që zgjedhin vetëm nëpërmjet dëgjimit. Kjo peshore, që ekuilibron kundërshtitë, përbëhet nga rregullat e formatit të “The Voice”, të cilët lejojnë pjesëmarrjen në garë edhe të këngëtarëve të njohur. Në të kundërt, sigurisht që Semi Jaupaj apo Megi Laska as nuk do ishin pranuar të merrnin pjesë. Shembujt ndërkombëtarë e vërtetojnë këtë. “Elhaida Dani ka pasur një përvojë shumë të ngjashme me timen dhe ajo u pranua vitin që shkoi në The Voice of Italy. Judith Hill, background vocal e Michael Jackson, e njohur në Amerikë dhe prezente që në vitin 2007, ka marrë pjesë në The Voice, apo Lindsay Pagano, një këngëtare aktive që në 2001-shin me këngë të njohura dhe madje albume të hedhura në treg dhe Christina Victoria Grimmie, prezente që në 2009-ën, ishin pjesë e “The Voice of USA 2014”. Apo Amanda Brown, një konkurrente e The Voice që ka nisur karrierën e saj muzikore që herët duke kënduar si background vocal në koncerte të Alicia Keys, Justin Timberlake, Stevie Wonder dhe në Grammy Awards 2012 me Adele, gjithashtu single-i i saj ka arritur në Top 10 në itunes dhe në 100 Hot Billboard”,- rreshton Semi Jaupaj të ngjashmit e saj që, në një çast të caktuar të karrierës, kanë hyrë në “The Voice”.


Kështu është formati i këtij spektakli dhe askujt nuk po i bëhet padrejtësi. Nëse formula ngjan, gjithsesi, si e padrejtë për shkak të startit jo të barabartë të konkurrentëve në jetët e tyre artistike, kjo është çështje që mund të zgjidhej vetëm kur ishte duke u ideuar kjo garë televizive, por tani s’mund të kthehemi më në atë pikë. Tani jemi në pikën ku gara nis kur konkurrentët hipin në skenë dhe, aty po, gjithçka është e barabartë. Katër trajnerët shohin po aq sa Justicia dhe peshoren me pulsant e komandon dëgjimi. Dhe në këtë pikë, për konkurrentët e njohur, më shumë sesa privilegj, njohja në publik kthehet në barrë, ajo mbart një presion shumë të madh psikologjik, që një person që vjen nga e përditshmja, nuk e ka. “Mendoj që njerëzit duhet të vlerësojnë guximin pasi ka qenë shumë stres në blind audition kur mund të mos kthehej asnjë karrige dhe pastaj do thuhej: kjo nuk vlen sepse asnjë s’ju kthye në The Voice”, thotë Semi. Megjithatë, ajo ia doli t’i bindë trajnerët me zërin e saj. Ashtu si Megi. Si Olsa. Dhe kanë nisur të trija, bashkë me konkurrentët e tjerë, udhëtimin e The Voice of Albania.


Megjithatë shumë mund të pyesin pse duhet të marrin pjesë në një talentshow, këngëtarë që tashmë e kanë nisur karrierën, madje janë edhe të njohur. S’ka asnjë arsye të çuditshme. “Nuk mund të rri dot larg skenës. Është emocioni i live-it, adrenalina e konkurrimit dhe sigurisht minutazhi televiziv që më shtynë të merrja pjesë” thotë Megi Laska, e cila vërtet mund të ketë përfaqësuar Shqipërinë në Turkçevizion, vërtet mund të ketë konkurruar në disa festivale, por asnjëra nga këto nuk i ka dhënë mundësinë të shfaqej në ekran çdo javë e të ndiqej njëkohësisht nga gjithë ata që të premten mbrëma zgjedhin të ndjekin “The Voice”. Dhe këtë dëshirë, nuk ka pse ta kufizojë fakti që është shfaqur në ekran edhe më parë. “Unë kam bërë muzikë rock dhe alternative deri tani, ndërsa në “The Voice”, po këndoj RnB, “Vision of Love” të Mariah Carey-t, “Listen” të Beyonce, “Happy” të Pharell Williams, të cilat nuk i kam kënduar më parë dhe doja të tregoja, me këtë pjesëmarrje, që unë realisht këtë kam pasion dhe kjo do jetë muzika që do më prezantojë dhe pas “The Voice”...” thotë Semi, ndërkohë që për dikë tjetër kjo mund të jetë mundësia për të treguar punën e deritanishme, siç ndodh me Olsën. “Arsyeja pse erdha në The voice është se dua të nxjerr në dritë atë për të cilën unë dhe bashkëshorti im Davidi, kemi punuar”. Olsa ka studiuar kanto në shkollë të mesme dhe më pas tregon që Davidi ka perfeksionuar te ajo disa teknika bashkëkohore ndërkohë që interpretonin live në Vlorë, ku dhe jetojnë. Sigurisht, tani ajo ka mundësinë të këndojë në një skenë shumë më të madhe e të ndiqet për një kohë më të gjatë, seç pati mundësi te “Ethet e së premtes mbrëma”, apo në Festivalin e fundvitit ku konkurroi 10 vjet të shkuara. Prandaj dhe e ka zgjedhur “The voice”. Pa i hyrë në hak askujt. Sepse aty janë të gjithë të barabartë dhe vetë vajzat, pranojnë që, megjithëse përvoja mund t’i ndihmojë për të përballuar emocionet e skenës, në prova, me trajnerët e tyre, kanë të gjitha, njëlloj, për të mësuar. “Mundësitë e konkurrentit varen nga eksperienca dhe puna individuale se talentin ta fal Perëndia :)”,- thotë Olsa. Dhe sigurisht që përvoja i ka ndihmuar konkurrentët për të arritur deri këtu, por jo fama. “Këtu të gjithë jemi të barabartë. Të gjithë që kanë arritur në këtë fazë janë me një farë eksperience. Nuk të bëjnë festivalet e klipet me talent dhe me zë. Ato lindin me ty. Kështu që mos u merrni me karrierën time, por vlerësoni atë çfarë po bëj. Dëgjoni zërin tim:)”,- thotë Megi.


Dhe pas gjithë zhurmës, kjo po ndodh. Historitë e konkurrentëve zbulojnë që disa mund të kenë shumë më tepër vite që këndojnë sesa ata që janë të njohur nga ekrani dhe të gjithë, bashkë me ata që i kemi parë vetëm në lagje, në kanë arritur të vijnë deri në këtë fazë, janë duke vënë në provë aftësitë e tyre vetëm duke kënduar.
