Nuk është nga ato dashuritë me shikim të parë, as “ҫmenduritë” femërore për këngëtarin e njohur të rock-ut, por Andia Ҫakshiri është gjysma më e mirë që Gent Bushpepa ka zgjedhur prej 6-vjetësh tashmë. Një dashuri që lindi në lokalin ku Genti këndonte, një dashuri e largët në pamje të parë, por e bukur, sepse ajo ҫka e afronte ҫdo ditë e më shumë ishte kureshtja për të mësuar ҫfarë fshihet pas zërit unik të një këngëtari rock-u dhe pas muzikës së mirë që bën ai.

I ftuar për herë të parë në një studio televizive së bashku me partneren e tij, Genti sot në "Pasdite" e ka të vështirë ta ruajë modestinë kur flet për Andian, gjysmën e tij më të mirë, që disa vite më parë i tërhoqi vëmendjen pikërisht sepse nuk donte të tërhiqte vëmendje: “Andia më ra në sy pikërisht sepse nuk donte të binte në sy. E vija re që e shijonte muzikën, po pa pasur fare asnjë lloj kontakti fizik… Fillimisht ishte e vështirë. U përpoqa të gjeja mënyrën më të përshtatshme të mundshme për t’iu afruar, sepse ishte hera e parë që më ndodhte dhe nuk doja të bëhesha vulgar…” – tregon Genti për takimet e para me Andian, pas momentit kur ajo kishte filluar t’i pëlqente.

Ndërsa Andia, nga ana tjetër, e përshkruan takimin e parë me Gentin si një gjë shumë të bukur, por krejtësisht larg saj. Njohja me Gentin dhe më pas daljet me të erdhën si diҫka krejt e natyrshme, pa asnjë sforcim: “Me Gentin jam njohur në lokalin ku luante Genti. Unë isha me një mikeshën time, e cila kishte këmbëngulur që të shkoja. Më pëlqeu shumë ambienti, atmosfera e ngrohtë. Gjithҫka ishte mjaft e rehatshme. Unë nuk isha shumë fanse e jetës së natës, por e përsëritëm këtë gjë edhe herë të tjera…” – tregon Andia duke shtuar se në fillim, gjithҫka i dukej shumë e bukur, por shumë larg saj: “Më dukej shumë e bukur për të qenë pjesë e imja. E konsideroja si diҫka shumë larg meje.”

Edhe pse nuk është profesioniste dhe nuk ka lidhje me muzikën, Andia për Gentin është një këshilluese shumë e mirë, sepse ajo është publiku i thjeshtë që edhe opinionet i ka të thjeshta, publiku që nuk e njeh thellë muzikën, por e shijon atë dhe zgjedh më të mirën për të qetësuar shpirtin: “Unë nuk jam e profilizuar për muzikë, por më pëlqen të dëgjoj muzikë të mirë. Kryesisht më terheqin tekstet, por edhe kur melodia është e bukur, më pëlqen ta shijoj. ” – tregon Andia më tej.

Megjithatë, në albumin e ri të Gentit, ka edhe një këngë të shkruar për të (ka disa, ndërhyn Genti), të cilat do të publikohen shumë shpejt. Dhe jo pa qëllim. Siҫ tregon Genti, ajo ia ka siguruar atij lirinë profesionale për të cilën një artist ka gjithmonë nevojë, ndaj për këtë ai është shumë i lumtur.

Tani që ҫifti ka një marrëdhënie të konsoliduar, prej kohësh kanë nisur bashkëjetesën, por kanë filluar edhe diksutimet për martesë. Një ceremoni intime, vetëm për vete, për familjarët dhe miqtë e ngushtë. Mund të jetë këtë vit, mund të jetë ndoshta edhe vitin tjetër. Ata nuk kanë akoma plane. Sepse planet mund të prishen nga ardhja në jetë e një fëmije… edhe nëse kjo ndodh, gjithҫka është e mirëpritur.