Lajmi që dy ditë më parë tronditi mediat turke dhe më gjerë ka bërë që i gjithë rrjeti të përfshihet në ngjarjen tragjike. Humbja e 11 jetëve pas rrëzimit të një avioni privat në Iran ka tronditur të gjithë opinion publik në Turqi dhe ka përfshirë edhe shumë personazhe të njohur të bëhen pjesë e ngushëllimeve për familjet.

Siç shkruajnë mediat turke, është zbardhur edhe telefonata e fundit e vajzës së miliarderit turk që ka bërë me të fejuarin kur po kthehej nga festa e beqarisë që kishte kaluar në Dubai.

Mina Basaran dhe 7 shoqe të saj, së bashku me 3 pjesëtarë të ekuipazhit po ktheheshin nga Dubai, kur avioni i Başaran Holding u rrëzua në Iran të dielën.

Mina kishte shpallur edhe datën e martesës më 14 prill, por për fat të keq, nuk e arriti atë ditë. Sot, nëna e saj ka shkuar në morg për të identifikuar trupin.

Siç shkruan Hyrriet, telefonata e fundit e Mina Basaran me të fejuarin ka qenë rreth orës 16:30: “Pas 5 orësh, jam pranë teje shpirt”, – i ka thënë ajo bashkëshortit të ardhshëm.

Biznesmeni Murat Gezer do nisej për në aeroportin Ataturk për t’i bërë surprizë Mina-s, kur mori lajmin e hidhur. Pas lajmit, Gezer ndodhet në shtëpinë e Minas dhe, siç shkruajnë mediat turke, po mbahet në këmbë me qetësues. “Unë besoj, Mina do të vijë”, thotë ai vazhdimisht.

Murat Gezer dhe Mina Basaran u fejuan më 20 tetor dhe më 14 prill do të martoheshim me një ceremoni madhështore në Çiragan Sarayi, në Stamboll.