Parashikimi i motit është kthyer në një rubrikë të domosdoshme për çdo televizion vitet e fundit. Po aq edhe kalimi nga rubrika e motit në një program a spektakël që të siguron shikueshmëri më të lartë dhe një rrugë më të gjatë televizive.

Pak javë më parë, Tv Klan iu bashkua ekraneve në të cilat moti prezantohet nga një vajzë bukuroshe. Alba Hoxha, balerina e trupës së Albi Nakos, u prezantua për herë të parë para publikut me rubrikën e motit. Siç tha ajo para disa ditësh te “Rudina”, bëri disa audiocione derisa u zgjodh për të qenë çdo ditë në ekran.

Parashikimi i motit ka bërë pjesë në ABC News edhe modelen e njohur shqiptare Fioralba Dizdari prej disa javësh. Pak kohë më parë, ajo ka ardhur nga SHBA-të për t’u zhvendosur përfundimisht në Shqipëri ku edhe aspiron të jetë një imazh i dashur i ekranit.

Fioralba e ka nisur karrierën si modele, por kamera për të, ndryshe nga fotografia, ka një emocion tjetër. Siç tregoi ajo sot në “Rudina”, në provat e para rrinte si e ngrirë, gati si robot që fliste. Por me kalimin e kohës u mësua dhe tashmë, ka fituar edhe më shumë siguri: “Mbaj mend provën e parë që kam bërë. Më dhanë një tekst dhe kur dola, nuk lëviza fare, as duart, asgjë, vetëm dhashë tekstin. Më thanë që duhet të më shihnin nëse dal bukur në kamera. Më pas, bëra një audicion tjetër që ishte në përmirësim. Vijova edhe me dy audicione të tjera dhe më pas më morën. Nga dita e parë ka një lloj evoluimi, ka ndryshim. Pjesa e tekstit ka qenë e vështirë, sepse jemi pa prompter” – tha Fioralba për fillimet në rubrikën e motit.

Matës në sfida të reja, sidomos kur ato kanë të bëjnë me ekranin, është jo vetëm publiku, por edhe miqtë e të afërmit. edhe këtë fazë, siç rrëfen Fioralba, e ka kaluar me sukses: “Të gjithë më kanë thënë vazhdo kështu, se je shumë mirë” – thotë ajo, por nuk e fsheh se edhe i dashuri, Enri Ceno, ish-kandidati për deputet të Partisë Demokratike, e ka mbështetur shumë në këtë fushë të re: “Po, më ka mbështetur shumë. Je shumë, shumë mirë. Ke kaluar parashikimet e mia dhe ato të motit në Shqipëri”, - i ka thënë Enri pas daljeve të para që Fiori provoi në ekran.

Prezantimi është gjë krejt tjetër nga fotografia, me të cilën Fioralba është mësuar. Duket si gjë shumë e thjeshtë, por në fakt është një makineri e tërë pune. Mund të jesh fotozhenike për kamerën, por jo për aparatin dhe anasjellas. Por Fiori është me fat, sepse është fotozhenike për të dyja….