Këshilli i Ministrave ka ashpërsuar masat për nëpunësit civilë që nuk paraqiten në testimin e detyrueshëm pranë Departamentit të Administratës Publike. Ky është vendimi i fundit që ka marrë Këshilli i Ministrave.

Qeveria ka miratuar dje, ndryshimet në vendimin nr.1037 të vitit 2015 dhe në vendimin e ri që është publikuar në Fletoren Zyrtare ka parashikuar sanksione për punonjësit e administratës, të cilët nuk paraqiten ditën e testimit.

Nisma e re qeverisë parashikon që çdo nëpunës civil është i detyruar t’i nënshtrohet periodikisht testimit paraprak dhe procedurës së trajnimit çdo katër vite. “Çdo nëpunës civil është i detyruar t’i nënshtrohet periodikisht testimit paraprak dhe, kur është e nevojshme, procedurës së trajnimit çdo 4 vjet. Kur nuk është e mundur, ky vlerësim mund të shtyhet deri në 6 vjet. Përjashtimisht, nëpunësit civilë në njësitë teknike të përmbajtjes së sistemeve tatimore e doganore janë të detyruar t’i nënshtrohen kësaj procedure çdo 2 vjet”, thekson vendimi i qeverisë.

Duke qenë se vendimi i vitit 2015 nuk parashikonte masa shtrënguese për punonjësit, të cilët nuk paraqiteshin në testim, atëherë qeveria në vendimin e ri ka shtuar një nen të posaçëm.

Në vendimin e ri “për procedurat e vlerësimit të nëpunësve civilë për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë”, theksohet në pikën 4 se:

Mosparaqitja e nëpunësve civilë në testimin paraprak apo testimin në përfundim të trajnimit, pa shkaqe të arsyeshme, konsiderohet shkelje e detyrimeve të përcaktuara në ligjin e nëpunësit civil dhe përbën shkak për fillimin e ecurisë disiplinore”.

Vlerësimi

Por në vendimin e ri, tashmë “fati” i nëpunësve që nuk kalojnë testin, nuk është më në dorën e eprorit direkt. Në rast se punonjësi vlerësohet me “jo kënaqshëm” edhe pas trajnimit tremujor, ndaj tij ndërpritet marrëdhënia e punës. Në vendimin e vitit 2015, në nenin 22 thuhet se: “Në përfundim të procedurave të mësipërme, bazuar në rezultatet e testimit të realizuar nga KV-ja dhe në rezultatet e vlerë- simit 3- mujor, eprori direkt vendos përshtatshmërinë ose jopërshtatshmërinë e nëpunësit civil në pozicionin e punës”.

Ndërsa në nenin 22 të ndryshuar thuhet se: “Në përfundim të procedurave të mësipërme, nëpunësi civil vlerësohet jo i përshtatshëm me vendin e punës në rastin kur, si rezultati në përfundim të periudhës së vlerësimit 3- mujor ashtu edhe rezultati i testimit me shkrim në përfundim të trajnimit, janë ‘jo kënaqshëm’. Në rast se nëpunësi vlerësohet jo i përshtatshëm, atëherë njësia e Burimeve Njerëzore deklaron përfundimin e marrëdhënieve në Shërbimin Civil”.