Abuzimi i 14-vjeçares nga Kavaja nga 8 shokët e shkollës, që ka tronditur këtë javë të gjithë opinionin publik, këtë të shtunë ka vijuar me dëshminë e vajzës në gjykatën e Durrësit. E mitura është thirrur për të rrëfyer tmerret që përjetoi për katër muaj me radhë. Me kërkesën e Prokurorisë, gjykata vendosi sigurimin e padisë, pra pyetjen e së dëmtuarës, dëshmia e së cilës do të përdoret si provë në procesin ndaj 8 të akuzuarve apo personave të tjerë që mund të rezultojnë të implikuar në krimin tronditës.

Ky veprim hetimor u krye për të shmangur çdo tentativë të mundshme për kërcënimin e së dëmtuarës, që të tërhiqej nga dëshmia, si dhe për shkak të moshës, traumave që ka kaluar e mitura, që mund t’i zbehte kujtesën. Seanca për pyetjen e 14-vjeçares zgjati rreth 3 orë e gjysmë dhe në disa raste gjykata është detyruar ta ndërpresë atë, pas shqetësimeve të shfaqura nga ana e së abuzuarës.

Siç shkruan Balkanëeb, në dëshminë e saj, e mitura deklaratat e saj i ka dëshmuar edhe në polici. Seanca e marrjes në pyetje është ndjekur përmes monitorit edhe nga avokatët mbrojtës të djemve, të cilët ndodhen tashmë pas hekurave. Vajza bashkë me prindërit trokiti në dyert e policisë, më 29 janar, pasi ishte abuzuar nga një grup djemsh që e shantazhonin me një video intim./Balkanweb/