Një  tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm kryeqytetin. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, mësohet se punonjësi i Gardës së Republikës së Shqipërisë, 44-vjeçari Alket Arapaj ka vrarë me armën e tij të shërbimit, bashkëshorten, 36-vjeçaren Ervilma Seferaj. Çifti, të cilët mësohet se janë prindër edhe të një vajze banonin në një shtëpi në zonën e Alliasit, kur në orën 06.00 të mëngjesit të ditës së sotme kanë qenë fqinjët ata që kanë dëgjuar krisma brenda shtëpisë së çiftit.

Gardisti e ka qëlluar gruan e tij tre herë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Kanë qenë fqinjët ata që më pas kanë lajmëruar policinë, pasi kanë dëgjuar krismat e armës dhe të qarat e vajzës. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, autori i vrasjes është arrestuar në flagrancë, ndërsa mësohet se Alket Arapaj prej 21 vitesh kishte gradën Kapiten në Gardën e Republikës së Shqipërisë.

Fqinjët dhe banorët e zonës thonë se çifti kishte një sjellje mjaft normale, ndërsa e ndjera Ervilma Seferaj ishte praktikuese e fesë Islame, gjë e cila kuptohet qartë edhe nga fotot që ata kanë në rrjetet sociale ku ajo shfaqet e mbuluar me shami.

Materialet e mëtejshme për krimin e rëndë që tronditi mëngjesin e sotëm Tiranën i kanë kaluar Prokurorisë.

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.5, në bashkëpunim me SHÇBA arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 44 vjeç (punonjës në Gardën e Republikës).

Rreth orës 06:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Allias, ai dyshohet se ka vrarë me armën e shërbimit bashkëshorten, 36 vjeçe.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.