Fakte të reja kanë dalë në dritë sot, pas dëshmisë që gardisti 44-vjeçar Alket Arapaj ka dhënë përpara punonjësve të Policisë së Shtetit. Gardisti i cili vrau bashkëshorten e tij mëngjesin e sotëm, në banesën e tyre në zonën e Alliasit është shprehur se shkak për kryerjen e krimit të rëndë është bërë dyshimi për tradhti nga ana e gruas.

Ky ka qenë motivi kryesor që e ka çuar Alketin të nxjerrë armën e shërbimit dhe të shkrepë tre plumba mbi trupin e Ervilma Seferaj, 36-vjeçe. “Kohët e fundit më ishin shtuar dyshimet se ajo më tradhtonte. Dyshoja sepse kur kthehesha nga puna gjeja objektet e lëvizura në shtëpi. Më vjen keq për vajzën. Jam familjar i rregullt”, ka thënë ai.

Bëhet e ditur se vrasja ka ndodhur në dhomën e ndenjes, në katin e katërt të një pallati ku banonte çifti, ndërsa kanë qenë fqinjët ata që pasi kanë dëgjuar krisma kanë njoftuar policinë.