Katedralja e famshme e Parisit, Notre Dame, është përfshirë nga flakët këtë të hënë dhe mbi të janë sytë e së gjithë botës. Me qindra njerëz janë mbledhur në rrugët përreth saj duke parë flakët në heshtje.

Katedralja e famshme e Parisit u përfshi nga flakët për shkaqe ende të paqarta. Zyrtarët thanë se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e punës restauruese, por ende nuk ka një deklaratë zyrtare për këtë. Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve, maja e katedrales 850-vjeçare dhe çatia u shkatërruan, ndërsa flakët vijojnë të jenë aktive, sipas mediave vendëse.

Një zëdhënës i katedrales tha për mediat se e gjithë struktura e ndërtesës po digjej. “Nuk do të mbetet më asgjë”,- tha ai. “Mbetet për t’u parë nëse kupola, që mbron katedralen, do të preket ose jo“. Dëmtimi është parë i pashmnagshëm edhe në rast se për flakët do të ndërhynte uji nga ajri. Historiania Camille Pascal, duke folur për mediat francize, tha se zjarri po shkatërron një “pasuri të çmuar“. “Për 800 vjet, Katedralja ka qëndruar krenare mbi Parisin. Për shekuj me radhë, ngjarje të lumtura dhe fatkeqe janë shënjuar nga këmbanat e Notre Damit. Nuk mund të jemi veçse të hidhëruar nga ajo që po shohim”, - tha ajo.

Në këto foto të publikuara nga mediat ndërkombëtare, të gjithë njerëzit që po e vështrojnë në heshtje ndihen të trishtuar për këtë vepër të vlerave të jashtëzakonshme, simbol të kulturës së lashtë parisiene dhe jubilare e veprës së famshme të Viktor Hygosë.