Pas më shumë se nëntë orëve betejë të ashpër me flakët, që ranë në kryeqendrën historike dhe kulturore të Parisit, zjarrëfikësit kanë mundur që ta vendosin nën kontrrollin perimetrin e zjarrit, që prej ditës së djeshme ka qenë kryefjala e medias botërore.

Sot, përmes fotove dhe videove që qarkullojnë në internet, mund të shihet vetëm tymi i bardhë që ka mbuluar katedralen, ndërsa autoritetet franceze janë shprehur zyrtarisht se kanë arritur të shpëtojnë nga djegia dy nga kullat e katedrales dhe strukturën shkëmbore të godinës Gotike, 850-vjeçare.  

Reagimet për këtë ngjarje të trishtë kanë qenë të shumta, nga personalitetet e shquara të politikës në botë, artit, kulturës, ndërsa ka folur edhe vetë Presidenti i Francës Emmanuel Macron. Ai u shpreh se katedralja do të rindërtohet dhe për këtë ata do të angazhohen që të mbledhin fonde ndërkombëtare me qëllimin e vetëm për t'i kthyer kryeqytetit francez, por edhe botës mbarë, Notre Dame de Paris.

Pas kësaj thirrjeje, i pari që ka reaguar është miliarderi François-Henry Pinault, drejtori ekzekutiv i Kering Group që zotëron markat e famshme Guçi dhe Yves Saint Laurent, i cili ka vendosur  të dhurojë plot 100 milionë euro për rindërtimin e katedrales.