Megjithëse kemi më shumë se dy javë që presim muaj të ngrohtë e temperatura të larta, tipike maji, moti ka kapriçot e veta. Në vend të pranverës, mbizotëron një “vjeshtë e vogël” me shi, e cila po qëndron gjatë.

Paqëndrueshmëria e motit gjatë javëve të fundit, do të vijojë edhe për disa ditë të kësaj jave.

Megjithatë, meteorologët kanë disa lajmë të mira për ditët në vazhdim. Ndonëse dielli nuk do të shkëlqejë, të paktën shiu do të pushojë e temperaturat do të pësojnë një rritje graduale.

Kjo javë paraqitet e ngrohtë dhe e lagësht. Moti do të jetë i kthjellët, por herë pas here do të ketë zhvillimin e vranësirave duke rrezikuar shira të dobët dhe afatshkurtër, kryesisht pas mesditës. Më të dukshme shirat do të jenë në zonën lindore.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje graduale nga dita në ditë duke bërë që termometri të arrijë deri mbi 27 gradë C në zona të veçanta.