Tashmë, Kosova ka një kryeministër të ri! Një emër protagonist në jetën politike të vendit, Albin Kurti mësohet se do të jetë kryeministri i ri i vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se ka përfunduar numërimi i fletëve të votimit, duke shpallur zyrtarisht fitues kreun e Partisë Vetëvendosja, Albin Kurti.

Numërimi i fletëve të votimeve është mbyllur mbrëmë, ndërsa publikimi i të dhënave nuk është bërë akoma për 4% të qendrave të votimit. Kështu tha për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se këto janë rezultate preliminare, por do të bëjnë përpjekje që sa më shpejt t’i shfaqin të dhënat nga të gjitha vendvotimet.

Në bazë të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197,966 vota ose 25,79%.

E dyta është LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%.

Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave.

Kush është Albin Kurti, kryeministri i ri i Kosovës?

Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai filloi të spikasë gjatë periudhës së luftës nisur nga viti 1997, pasi në rezistencë kundër Milosheviçit Albini u bë pjesë i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. 

Grupi me anë të protestave dhe të mosbindjes civile kërkonte lirimin e ambienteve universitare nga pushtimi serb.  Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.

Sapo lufta e Kosovës kishte filluar zyrtarisht, në gusht të vitit 1998 Albini filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbeu si sekretar i zyrës.

Gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar në gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Kosovë. Gjatë bombardimeve të NATO-s ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe. Më 13 mars 2000 në Nish, Albini u dënua me 15 vite burgim.

Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Millosheviçit që e ka mbajtur Kosovën nën okupim”.

Kur u dënua, ai tha: “Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më jepej rasti do të veproja sërish njësoj”.

Si rezultat i presionit ndërkombëtar Albini u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003 Albini u diplomua në fakultetin e shkencave kompjuterike dhe telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi të jetë aktivist i të drejtave të njeriut dhe atyre civile.