Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar zyrtarisht për rastet e dyshuara në Shqipëri në lidhje me koronavirusin. Sipas Ministrisë, nga 8 rastet që ishin të dyshuara si të infektuar, asnjë prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv.

Ministria e Shëndetësisë thekson se pas evidentimit të situatës shëndetësore me prezencë të koronavirusit në Itali, po vijon përforcimi i masave në pikat kufitare, si dhe përforcimi i gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID-19.

Ndërkohë përfaqësuesit e Task Forcës kanë bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Në vendin tonë deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Koronavirus COVID-19, janë testuar 8 raste të cilat pas testimit kanë rezultuar negative. Në Laboratorin e Virologjisë, i çertifikuar nga OBSH, në Institutin e Shëndetit Publik tashme kryhet diagnoza e plotë konfirmuese për koronavirusin COVID-19.

Pas evidentimit të situatës shëndetësore me prezencë komunitare të koronavirusit në Itali po vijohet me përforcimi i masave në pikat kufitare, sigurimi i sasisë së shtuar të mjeteve të mbrojtjes personale, përforcimin e gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID-19.

ISHP, ISHSH, strukturat e njësive vendore të shëndetit po ndjekin zbatimin e urdhrit të ministres Manastirliu për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë. Po ashtu ekspertët apelojnë që qytetarët të jenë të vëmendshëm ndaj higjenës vetjake me qëllim shangien e rrezikut të koronavirusit COVID-19.

Task Forca raporton se po vijohet me forcimin e masave për kontrollin dhe parandalimin e koronavirusit COVID-19 me dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore dhe monitorimin e pasagjerëve nga ekipi shëndetësor nëpërmjet matjes së temperaturës.

Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenjë klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.

Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.

Task Forca theksoi se masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit duhet të vijojë.

Gjithashtu siç është bërë me dije, tashmë është përcaktuar vendi i karantinës në rast se do të jetë e nevojshme, që është një strukturë spitalore, e vlerësuar edhe nga komiteti teknik, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga OBSH.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në frymën e transparencës do të ketë komunikim të përditshëm me publikun, duke ftuar dhe qytetarët t’i referohen informacioneve zytare.

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:

Në nivel global, janë raportuar në total 79 360 raste të konfirmuara me COVID – 2019.

Azi: 78  422 raste të konfimuara 2616 vdekje

Afrikë: 1 rast i konfirmuar

Amerikë: 44 raste të konfirmuara

Australi: 22 raste të konfirmuara

Europë: 182 raste të konfirmuara,

3 vdekje

24 shkurt 2020- Informacion i përditësuar për Koronavirusin COVID_2019