Daljet publike të Linda Ramës mund të numërohen me gishtat e njërës dorë që nga koha kur bashkëshorti i saj është zgjedhur në krye të qeverisë. Ajo ka zgjedhur të ruajë një profil të ulët publik dhe të mos heqë dorë nga profesioni i saj, si rrallë zonja e gra politikanësh të njohur. Megjithatë, në të paktat raste kur ka pranuar ftesën publike, ka përcjellë gjithmonë mesazhe kuraje dhe force për gjininë femërore. Si një prej aktivisteve dhe mbështetëseve të grave në gjithçka që ato ndërmarrin jo vetëm në politikë, por edhe në shoqërinë civile, Linda u ndal sot te kjo forcë moderne dhe e pashtershme me emrin grua për të përcjellë mesazhe: “O e bëni ju gratë socialiste atë që politika duhet të bëjë një ofertë të re për fëmijët, ose nuk e bën kush. Ose e bën PS-ja këtë vend shtëpi të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve, ose nuk ka për ta bërë dot kush”,- tha mes të tjerave bashkëshortja e Kryeministrit.

Duke ndarë me delegatët e PS-së edhe disa prej çasteve më të bukura me të voglin e saj, Zaho, Linda rrëfeu edhe një moment kur i biri e kishte bërë atë krenare, ashtu siç do të kishte bërë krenarë çdo fëmijë prindërit e vet: “…Në mbrëmje më vjen një sms nga mësuese Elda. Shkruante: ‘Më ka surprizuar dhe më ka prekur Zaho sot’. Pyetja që u kishte bërë fëmijëve ishte ‘Pse e duam Shqipërinë?’ dhe Zaho i ishte përgjigjur, ‘Se ajo është shtëpia jonë’…”

Linda Rama iu drejtua grave, forcës së tyre, por edhe burrave u kujtoi se kanë akoma punë për të bërë, akoma sfida për të çuar përpara. Njëkohësisht, nuk la jashtë vëmendjes edhe “listën” me gjërat që duhet të bëjë e gjithë politika dhe shoqëria jonë për të qenë sa më pranë familjes së madhe europiane – atë që, në fakt, sipas Lindës, të gjithë e kemi në Shqipëri.  

Në gjithë këto vite është hera e parë që marr pjesë dhe marr fjalën në një forum të PS-së. Kam ruajtur me fanatizëm që betejat, vorbulla, t’i përkasin vetëm PS-së. Familjes së vogël të gruas e burrit i përket vetëm mbështetja pa kushte, pa u lodhur dhe pa u dorëzuar për njeriun e saj, që pjesën më të madhe e ka të lidhur me familjen politike për kauzën që i është përkushtuar në dobi të Shqipërisë, ku kemi lindur dhe nesër do të lindin fëmijët tanë.

E ndjeva të natyrshme dhe ftesën e papritur për të marrë fjalën. Vijimësisht kam ndier të kundërtën, duke refuzuar për t’u shfaqur si protagoniste në çatinë e madhe të PS-së. Pse-ja e pranimit do të dalë në rreshtat e fjalës. Ky m’u duk vendi i duhur për të folur publikisht, ndaj faleminderit kujt i shkoi mendja për ta bërë këtë ftesë dhe që më konfirmuat se bëra shumë mirë që e pranova pa mëdyshje.

Fjala ime përzien nënën, aktivisten, studiuesen dhe shoqen e jetës së kryetarit tuaj. Shpreh edhe dëshirën për të ndarë disa mendime. Në vjeshtën e 2005-ës, PS-ja zgjidhte kryetarin e ri. Në atë kohë kishim filluar të aplikonim shkollat komunitare në jug të vendit, diku në Gjirokastër. Kryetari i asaj komune ishte delegat në kongresin e trazuar që zgjidhi kryetar Edin. Në përfundim, delegati erdhi në zyrë dhe dikush nga ne e pyeti dhe ai tha “nuk zgjodhëm ne kryetarin, por fëmijët tanë, që na mbytën me mesazhe duke na thënë 'zgjidhni atë të gjatin, se është modern ai'”. Edi erdhi në krye të PS-së si thirrje e fëmijëve të atyre që i dhanë jo pak Shqipërisë, pas daljes në rrugën e lirisë dhe demokracisë. Ka ndodhur një ndryshim i madh i paimagjinueshëm.

Pse PS-ja duhet të kërkojë më shumë nga vetja? Pse duhet të këmbëngulni për të qenë gjysma më e mirë e kësaj partie? Ka ndodhur një ndryshim i madh, që personalisht më bën shumë mirë kur flas jashtë vendit për përfaqësimin gjinor. Kjo është pjesë e arsyes që më bëri të vij këtu sot, për ju gra që keni barrën për ta thelluar atë.

Kjo, me siguri, është edhe pjesë e arsyes që më bëri të vij këtu tek ju, gratë që i përkisni partisë dhe keni meritë për këtë ndryshim, ta thelloni dhe ta bëni që të shtrihet poshtë. Kur një burrë del në skenë, ai është një më shumë, ndërsa një grua e mbart detyrimin për t'u bërë forcë tërheqëse më shumë. Në këndvështrimin tim, kjo ngjitje e gruas në vëmendje është vlerësim i admirueshëm, jo thjesht individual. Jam e tunduar për të rrokur çdo temë, por dua të qëndroj te thirrja e fëmijëve. Për mua fëmijët janë shëmbëlltyra e Europës që kemi brenda nesh.

Para një auditori të tillë, jam e tunduar për të rrokur çdo temë të së përditshmes sonë, por të qëndroj te më e rëndësishmja – thirrja e fëmijëve. Kam parasysh dëmin që i bëhet nga egërsia dhe vulgariteti, nga agresiviteti. Përpara tyre shtrihet një jetë që nuk ka të ngjarë me jetën tonë që kemi kaluar. A bëhet gjithçka duhet që gjenerata e re të jetë mishërimi i përkatësisë europiane të Shqipërisë? A është kuptuar se sfida e fëmijëve tanë nuk do të jenë të njëjta me ato që përballojmë ne?

Le të marrim për një çast ndryshimin që ka sjellë interneti. Numri i përdoruesve e ka kaluar mesataren botërore, por numrat nuk na e thonë sigurinë e tyre në internet.

Mosha e atyre që përdorin internetin vjen duke u ulur, por nuk e dimë si e absorvon ushqimin e ekranit. Prindërit janë ende rojet e pazëvendesueshme. Por 30% e tyre nuk dinë ta përdorin dhe shumë të tjerë të mbingarkuar, preferojnë t'ia lënë internetit. Shumica e fëmijëve e aksesojnë nga telefoni dhe kjo është kaq e letë sa rrezikon që e vetmja mëhallë që do të njohin, do të jetë mëhalla e internetit dhe gjuha e tyre të jetë zhargoni i shkurtimit.

Shkolla, kopshte, çerdhe, kënde lojërash janë bërë shumë, por edhe sikur të mbaronte nevoja për to, jemi shumë të zbuluar në lidhje me sfidën që po flasim. Prandaj, ju lutem, angazhohuni aty ku zëri juaj dëgjohet për një ofertë të re për fëmijët e këtij vendi. 

Angazhohuni me fuqinë e përfaqësimit në Kuvend, qeveri, këshilla bashkiakë, për një ofertë të re për fëmijët e këtij vendi. Është e qartë pse duhet të kemi një teatër, por a mund të jemi të qeta kur i vetmi teatër është ai i kukullave?

Si ka mundësi që falë fondeve publike të bëhet një festival dhe të mos ketë një festival kombëtar dhe mbarëshqiptar i fëmijëve.

I bukur është stadiumi i ri dhe stadiumet e tjera, por a ma thotë dot njeri pse nuk kemi një sistem funksional të klasave sportive të fëmijëve në shkolla?

Dëgjova që kopshti zoologjik do të ndërtohet sipas standardeve europiane, pse nuk më duket e pamundur që të ketë dhe në zona të tjera?

Është punuar për të zgjeruar rrjetin e shkollave, a mos duhet të ketë konkurse mes shkollave?

Ndarja territoriale duhet të mundësojë që nevojat e fëmijëve për argëtim mos të mbyllen nëpër lagje apo në qendrat tregtare, vetëm një vizion i tillë do të mund që lista e atraksioneve të shkojë përtej atyre kulturore, atyre historike, detit dhe malit.

Në 105-vjetorin e pavarësisë, Zaho kishte mbushur 3 vjeç. Në mbrëmje, më vjen një sms nga mësuese Elda. Shkruante: ‘Më ka surprizuar dhe më ka prekur Zaho sot’. Pyetja që u kishte bërë fëmijëve ishte ‘Pse e duam Shqipërinë?’ dhe Zaho i ishte përgjigjur, ‘Se ajo është shtëpia jonë’. Kur e takova të nesërmen, mësuesja më tregoi: M’u kujtua vetja ime. Ika në SHBA e vogël dhe pas shumë vitesh, u ktheva me të fejuarin në fillim në vitet 2000, babai ishte sëmurë. Më vinte turp nga i fejuari dhe i thosha shpesh ‘më vjen keq’. Kur shtyheshim në autobus, për rrugët e prishura, për spitalet që nuk funksiononin. Ditën që u larguam, nxori një letër dhe më tha: ‘Ke thënë kaq shumë herë më vjen keq. Më shkruaj 10 arsye pse e do vendin tënd?’ Me vështirësi i bëra 10, por asnjëra s’ishte sa për 10. Kishte qenë aq e thjeshtë… Po e dua Shqipërinë, se ajo është shtëpia ime.”

O e bëni ju gratë socialiste atë që politika duhet të bëjë një ofertë të re për fëmijët, ose nuk e bën kush. Ose e bën PS-ja këtë vend shtëpi të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve, ose nuk ka për ta bërë dot kush.

U bëftë më e mira për ju dhe familjet tuaja!

Burimi: Fjala e Linda Ramës në Kongresin e Ps-së, marrë nga Tirana Post.