Nuk e ka zgjedhur rastësisht numrin 50, madje as titullin me të cilin shef Renato prezantohet në Panairin e librit pas pak ditësh. Nëse ju vjen menjëherë në mendje titulli “50 hijet…”, ka diçka të ngjashme edhe këtu: janë joshëse, as të ëmbla dhe as të kripura, të athta, djegëse…. janë edhe seksi. Recetat, të kuptohemi, pastat.

Prej kohësh, Renato kishte menduar të na e bënte punën më të thjeshtë me gatimin. Jeta jonë dinamike ka nevojë për gjëra më të shpejta, më të freskëta dhe, mbi të gjitha, me shije të veçantë. Këto dy vite në Umami, shefi i njohur kishte vënë re që njerëzit, gjithmonë e më shumë janë të prirur drejt pastave, ndaj edhe vendosi që t’i përmbledhë ato në një libër të veçantë me të gjitha ngjyrat brenda.

Pasditen e sotme, pranë restorantit të tij në Tiranë, Umami, Renato prezantoi “50 shijet e pastave”, i cili do të jetë edhe pjesë e Panairit të Librit. Recetat kishin nisur të përgatiten prej një kohe të gjatë dhe, siç tha Renato, kryesisht për to punonte netëve të vona, në kohë qetësie.

Pse pikërisht pasta?

Në një prononcim për revistën Class, Renato tha se qëllimi ishte të sjellë një libër për të gjithë njerëzit. Dëshira e tij më e madhe është që libri të bëhet copë-copë nga përdorimi: “Me pastat jemi të gjithë të dashuruar, jemi të gjithë të lidhur dhe nuk besoj se ka njeri që nuk ha pasta. Meqenëse është edhe java e Panairit të Librit, bëmë çmos që të ishte në kohë reale edhe në panair. Këtë vit, do të jenë të dy librat e mi, edhe “Sekretet e shijes”, por edhe “50 shijet e pastave””, – thotë Renato.

Kujt i adresohet ky libër?

Libri do të jetë për të gjitha amvisat, por jo vetëm për ato. Renato thotë se këtë herë ka menduar për të gjithë njerëzit: “Është një libër që do të jetë për të gjitha amvisat, duke filluar edhe nga ata që nuk e kanë idenë fare nga kuzhina, për amatorët, për studentët, për njerëzit që janë vetëm, për të gjithë njerëzit e dashuruar, për mamatë, baballarët, për të gjithë. Aty do ta gjejnë veten të gjithë njerëzit. Mundësisht, do të jetë një libër që do ta mërrësh dhe do ta bësh copë-copë nga përdorimi.”

Megjithatë, nëse ka ndonjë grupmoshë së cilës Renato ia sugjeron më shumë këtë libër, është rinia – sepse është ngrënësja më e madhe e pastave dhe sepse mund t’i gatuajnë pastat më lehtë se të gjitha recetat e tjera.

Kujt ia ka dedikuar këtë libër Renato?

Si herën e parë, me “Sekretet e shijes”, edhe këtë herë, Renato e ka gati përgjigjen: “Vetes…” dhe pastaj, shpejt e shpejt përmend aty të gjithë bashkëpunëtorët dhe ata që e kanë ndihmuar për ta realizuar. Në fakt, shton ai, ua ka dedikuar të gjithë të dashuruarve pas pastave dhe shijeve të tyre speciale. Por nëse e pyet për një emër që fshihet pas këtyre recetave, pa të keq tregon: “Përveç meje (se unë i kam shkruar), fshihet edhe një vajzë që më ka ndihmuar me recetat…” (mos pyet më shumë, se nuk merr më përgjigje)

Të gjitha recetat janë të krijuara nga Renato, të provuara në kuzhinën e  Umamit, të shijuara nga një pjesë e mirë e klientëve që frekuentojnë Umamin dhe që, një nga një, janë me shije unike.

Nëse doni të dini pastën e preferuar të shefit, ajo është linguini, por e ka të vështirë të zgjedhë mes tyre: “Unë, këto receta i kam si fëmijët e mi…”

Mes 50 shijeve, ka edhe “hije” të tmerrshme, që shumë shpejt do të prezantohen edhe në Hells’s Kitchen: “Ka spaghetti dhe linguni, por edhe pasta të tjera nga libri që do të prezantohen në program.”

Vetëm kaq? Po njëra nga (s)hijet e dashurisë? Ka edhe një recetë të tillë: “Pasta me frutat e detit, vongole, midhje e të tjera si këto….”

50 shijet e Renatos janë pak të ngjashme me 50 hijet, u bindët? Ato janë joshëse, as të ëmbla, as të kripura, pak të athta, pak pikante dhe shumë…. seksi. Pastat, të kuptohemi!