Shumë mund të ëndërrojnë për magjinë e Hollywood-it, për botën surreale mes dritave dhe projektorëve, ndërsa ajo nuk e ka ëndërruar, por e ka përjetuar. Bianca Van Damme është aktore, modele, sportiste dhe eksperte e arteve marciale. Kur dëgjon emrin e saj menjëherë mendja të shkon tek aktori i njohur i filmave me arte marciale. Dhe në fakt, Bianca është e bija e Jean-Claude Van Damme, me filmat e të cilit jemi rritur dhe që e njohim mirë si personazh. Nuk është çudi që Bianca e ka të sigurt suksesin, pasi e ka në gen. Ajo është e bija e një njeriu shumë të talentuar dhe e Gladys Portugues, ish-bodybuildere dhe kampione fitnesi, nga të cilët ka trashëguar aftësitë dhe vullnetin për të ndjekur pasionet.

Megjithatë Bianca ka punuar fort për të qenë aty ku është dhe vazhdon të punojë për të përmbushur ëndrrat e saj. Që e vogël iu përkushtua arteve marciale, e shtyrë më shumë nga prindërit e saj. Me kalimin e kohës ajo u bë pjesë e botës së kinemasë dhe në vitin 2008 ka marrë pjesë në filmin “The Shepherd: Border Patrol", ku ka luajtur përkrah të atit. Më pas ajo ka interpretuar në shumë prej filmave të të atit, madje në disa prej tyre ka qenë edhe producente. E rritur mes kamerave dhe botës së artit, Bianca "ngeci" aty. Nuk ka pasur asnjë pasion për botën e kinemasë, por dëshira për t`u bërë pjesë e saj iu imponua nga të tjerët, derisa kuptoi që i pëlqente kjo gjë. Megjithatë, si një natyrë e ndrojtur që është, Bianca preferon të qëndrojë pas kamerave dhe preferon regjisurën më shumë se aktrimin. Shumë njerëz e identifikojnë si e bija e Van Damme, por ajo dëshiron të njihet për atë që është dhe për punën e saj. Mund të mendoni që të qenit e bija e një personazhi aq të njohur e ka bërë më të thjeshtë për të rrugën drejt suksesit, por në fakt nuk është aspak kështu. Teksa flet për të atin, kupton që është më shumë e lidhur profesionalisht më të dhe marrëdhënia atë e bijë nuk është ajo perfektja, ndoshta edhe për shkak të largësisë dhe angazhimeve të tij.

Përveçse është shumë e talentuar, Bianca ka edhe shumë pasione. Një prej tyre është edhe poezia, me anë të së cilës ajo shpreh atë që ka frikë apo që nuk tregon dot me fjalë. Teksa flet me shumë dëshirë për ëndrrat dhe pasionet e saj, Bianca nuk rezervohet të flasë edhe për dobësitë, problemet, vuajtjet apo vështirësitë që ka kaluar në jetë. Në një rrëfim të sinqertë për revistën Class, ajo ka folur edhe për probleme delikate me të cilat ka luftuar, siç janë depresioni dhe bipolariteti. Jeta e saj mund të duket perfekte, megjithatë ashtu si çdo njeri edhe ajo ka ulje-ngritjet e saj, por në fund të ditës është e lumtur për atë që është dhe nuk do të donte të ndryshonte gjë te vetja e saj. Në këtë intervistë ekskluzive për një media shqiptare, Bianca Van Damme ka rrëfyer shumë për jetën dhe karrierën e saj, si dhe për planet e afërta personale dhe profesionale. Një rrëfim që vjen nga perëndimi i largët dhe që duket aq pranë, teksa ajo flet me thjeshtësinë më të madhe për jetën e saj jo dhe aq të zakontë.

 

Je sportiste, aktore dhe modele e suksesshme. Nëse do të duhej të zgjidhje mes këtyre profesioneve, cilin do të zgjidhje?

Asnjë prej këtyre. Do të zgjidhja të isha regjisore filmash. Derisa kjo gjë të realizohet do të merrem me aktrim. Më pëlqen aktrimi edhe pse mua më frikësojnë kamerat, megjithatë të fshihesh pas një personazhi është diçka që të jep siguri. Është bukur të jesh dikush tjetër, të paktën një herë.

Çfarë të bëri të kuptoje që dëshiroje të merreshe me aktrim?

Nuk kam dashur kurrë të merresha me aktrim, më shumë mendoj se m`u imponua nga të tjerët. Megjithatë, tani mund të them që aktrimi është si një arratisje që e shijoj. Më parë e shprehja veten përmes poezisë, por ndonjëherë bëhesha më e zymtë nga sa duhej dhe shumicën e kohës nuk arratisesha dot nga bota, ndërsa aktrimi ma jep këtë alternativë.

Të jesh e bija e një personazhi të famshëm, siç është Jean-Claude Van Damme, e ka bërë më thjeshtë rrugën tënde drejt suksesit në industrinë e filmit?

Jo, e ka bërë edhe më të vështirë. Jam nën një hije dhe automatikisht jam futur në një kategori të caktuar nga e cila është shumë e vështirë të dal, kur apo nëse është e nevojshme. Shumë njerëz mund të mendojnë se e kam pasur çdo gjë gati, por në fakt nuk është kështu. Unë zakonisht nuk kërkoj aprovimin apo mendimin e të tjerëve, por kam probleme me vetëbesimin. Kur bëhet fjalë për punën time apo për diçka që e bëj me pasion, besoj se gjithmonë do të dua të di nëse njerëzit vërtet mendojnë se jam e talentuar apo e thonë thjesht për të më bërë qejfin.

Si do ta përshkruaje marrëdhënien me babain tënd?

Do të thosha që është si ai libri që e merr gjithmonë për ta lexuar, por nuk e përfundon kurrë, mjaftueshëm interesant për ta lexuar një herë në disa kohë. Ai ka qenë gjithmonë duke punuar e udhëtuar dhe me kalimin e kohës largësia u bë diçka normale për mua.

Kush ka qenë ndikimi më i madh në jetën tënde apo në atë që bën?

Do të thosha që mamaja ime e ka ndikuar shumë tek unë. Ajo më prezantoi me Hollywood-in e vjetër, me të cilin jam e fiksuar. Ndonjëherë më duket sikur kam lindur në kohën e gabuar.

Poezia gjithashtu është një pasion i yti. Ke menduar ndonjëherë të publikosh një libër?

Po, e kam menduar shumë herë. Në fakt, kam shumë kohë pa shkruar për shkak se poezia ime është e errët. Është e ngjashme me rërën thithëse. Po përpiqem t`i mësoj vetes se është normale të qëndroj në errësirë, por, po ashtu, të mund të dal kur të dua. Sapo të mësoj ta bëj këtë gjë do të shkruaj një libër. Do të jetë shumë bukur që njerëzit të mësojnë çfarë ndodh në mendjen time.

Çfarë të frymëzon të shkruash poezi dhe cilët janë poetët e tu të preferuar?

Sinqerisht, quajeni si të doni, por unë luftoj me bipolaritetin dhe depresionin. Poezia filloi si një terapi për mua. Kam qenë dhe vazhdoj të jem e frikësuar të shpreh atë që kam në mendje, kështu që i drejtohem letrës dhe stilolapsit.

Jam një fanse e Edgar Allen Poe, Charles Bukowski, William Wordsworth, Shakespeare dhe e shumë poetëve të tjerë.

Cili nga filmat që ke marrë pjesë ka qenë më i rëndësishmi për ty, që të ka ndihmuar të rritesh profesionalisht?

Asnjëri. Ende nuk kam luajtur një film që ta dua apo që të më ndihmojë të rritem profesionalisht.

Ke një idhull që të frymëzon dhe që do të doje të ecje në hapat e tij?

E adhuroj mënyrën si Emmy Rossum e ka zhvilluar karrierën e saj, nga aktrimi te regjisura dhe të shkruarit. Ndërsa si frymëzim kanë shërbyer Audrey Hepbrun, Buster Keaton dhe Rita Hayworth. Ndjej se kam shumë të përbashkëta me Marilyn Monroe dhe Angelina Jolie, bazuar në librat që kam lexuar për jetët e tyre private apo për vuajtjet që kanë kaluar.

Si e ke marrëdhënien me fansat? Ka bërë ndonjë fans diçka "të çmendur" për ty?

Edhe pse jam e turpshme dhe introverte, është shumë bukur kur takoj njerëz, por nuk mund të them që kam fansa. Nuk ka ndodhur ende që dikush të ketë bërë diçka "të çmendur" për mua.

Të pëlqen të udhëtosh? Cili është vendi yt i preferuar që ndoshta do të të pëlqente të jetoje në të ardhmen?

I adhuroj udhëtimet. Nuk e di ku do të doja të jetoja duke qenë se jam rritur sa andej-këtej. Është një pyetje e vështirë për mua, pasi varet edhe nga personi që do të më vjedhë zemrën.

Ke qenë ndonjëherë në Shqipëri? Çfarë mendimi ke për shqiptarët?

Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri, por do të doja ta vizitoja një ditë, atëherë do të mund t`i përgjigjem edhe kësaj pyetjeje.

Cilat janë planet për të ardhmen? Ke ndonjë film apo projekt që pritet ta realizosh së shpejti?

Kam shumë plane, shumë ëndrra dhe objektiva. Për momentin jam duke shkruar shumë, duke mësuar më shumë rreth aktrimit pas një kohe pushim. Jam në kërkim të projektit të duhur.

Nëse një ditë do të hiqje dorë nga karriera, për çfarë do ta bëje?

Dikur kam hequr dorë nga karriera për dashurinë dhe nuk mendoj se do ta bëja sërish.

Nëse do të ktheheshe pas në kohë, çfarë do të ndryshoje?

Mund të kem shumë ulje-ngitje, por e dashuroj njeriun që jam për shkak të së shkuarës sime. Do të bëja çdo gjë njësoj, veçse do të kisha ndjekur një rrugë të ndryshme për sa i përket karrierës. Një rrugë më logjike.

Nëse një ditë do të bëje një film për jetën tënde, si do të quhej?

Dreq!

Cila është gjëja e fundit që të ka bërë për të qarë?

Nuk kisha qarë për vite, por një javë më parë pata një shpërthim. U ndjeva ekstremisht e humbur dhe totalisht vetëm.Thjesht u mbylla në tualet dhe lexova ditaret e vjetër, që nga ato të fëmijërisë e deri tek ato që kisha shkruar së fundmi dhe e lashë veten të lirë. U shokova që më pas lotët u kthyen në lot lumturie, për shkak se kishte kaluar shumë kohë që kur kisha qarë për herë të fundit. Tani duhet të pres katër vite të tjera deri në shpërthimin e radhës.

Cila është fobia jote më e madhe?

Buburrecat dhe flokët e lagur në sapun. Është e çuditshme, por më fusin frikën.

Cila është ambicia jote më e madhe?

Forbes. Jo sepse më pëlqen bota e të pasurve, por sepse i kam mposhtur djajtë që janë munduar të më ndalojnë çdo ditë.

Po për sa i përket jetës personale, është krijimi i një familjeje pjesë e planeve të tua të afërta apo është ende herët?

Nëse takoj njeriun e duhur, po. Mendoj se krijimi i një familjeje është pjesë e natyrës njerëzore. Edhe nëse nuk është mision, mbetet një mendim i ngrohtë.

Ke diçka për të thënë për lexuesit e Revistës Class?

Mos u ndalni kurrë! Është e vështirë dhe e frikshme ndonjëherë, por në rastet kur jam duke kaluar një periudhë të vështirë (shumë të vështirë) i rikujtoj vetes se ka njerëz nëpër botë që, në të njëjtën kohë, po kalojnë gjëra edhe më të vështira se unë.