Nën pafundësinë e qiellit plot yje, të gjithë duam të thurim ëndrra...Shkëlqimi i yjeve nuk mund ta zbehë dëshirën tonë për t'i rrëfyer atyre sekrete apo dëshira që një ditë mezi presim t'i realizojmë. Dhe si me magji ne përfshihemi në gjithë këtë atmosferë, që duket sikur sapo ka dalë nga faqet e një libri me përralla për fëmijë ose si një ëndërr që secili nga ne e ka jetuar një herë në jetë, përmes realitetit apo imagjinatës shfrenuese. Sepse ne të gjithë kemi pak doza fëmije brenda nesh, që na bëjnë të fluturojmë larg në ishujt e fantazive plot ngjyra.

Kur vjen puna tek fantazitë dhe ëndrrat, vajzat janë më protagonistet! Dhe Klea Huta është vetëm njëra prej tyre...Ideja e saj për të realizuar akademinë erdhi si pasojë e një ëndrre...U rikthye tek sirtari i vjetër, nxorri çelësin, e hapi atë, e teksa fshiu pluhurin e bllokut ku ishin shkruar me ëndje të gjithë dëshirat dhe ëndrrat, ajo vendosi që të jetësojë njërën prej tyre, atë më kuptimplotën, që e lidh direkt me profesionin, por edhe me fëmijët veçanërisht. "Akademia Klea Huta" është sot sipërmarrja e saj dhe e partnerit të zemrës, por edhe të jetës, Elgit Doda. Bashkuan forcat, dhe kush më mirë se ata mund të vinin në funksion një akademi profesionale të dedikuar për zhanret e ndryshme artistike, ku të gjithë grupmoshat e fëmijëve, por edhe të rriturve mund të marrin në mënyrë profesionale leksione të çmuara artistike. "Kisha vetëm ëndrrën time dhe pasionin që më ndiqte nga pas dhe nuk më la vetëm, drejt një realizimi që nuk e dija si do shkonte dhe pse thellë brenda vetes e dija që do e ndërtonte suksesin e saj, ashtu pak nga pak: “Me hapa të vegjël, për një ëndërr të madhe”, u shpreh Klea Huta për pikënisjen e kësaj sipërmarrje të madhe dhe të rëndësishme, që tanimë ka arritur në një tjetër stad.

Jemi në verë, dhe menjëherë mendja na shkon tek pushimet, deti, rëra, relaksi. Por, për fëmijët situata është krejt tjetër, sepse me mbylljen e shkollave dhe gjithë institucioneve të tjera parashkollore këtë sezon, mundësitë për t'u argëtuar gjatë këtij sezoni janë të limituara. Përjashto, ato lojërat e lezetshme poshtë pallatit me fëmijët e tjerë të lagjes dhe kaq. Pse ju prindër të mos investoni në një formë të re edukimi, por edhe kënaqësie?! Kampi veror Klea Huta është një zgjidhje dhe zgjedhje për të gjithë fëmijët tuaj. Summer Camp do të zhvillohet në datat 21-30 Qershor. Një risi dhe një eksperiencë ndryshe për fëmijët shqiptarë. Një kamp për herë të parë me fjetje për 10 ditë e 9 netë me standartet më të larta të ushqimit, argëtimit, fjetjes, sigurisë dhe në diversitetin e bashkëjetesës në parkun e mrekullueshëm të Dajtit. Me një staf prej 12 të rritur, 6 animatorë sociale profesionist, 4 kujdestar për çdo grup, mjek, security për natën dhe sigurisht argëtim me shumicë!

Klea dhe Elgiti i kanë idetë e qarta për gjithçka kanë dhe duan të arrijnë! Bashkë me objektivat e të ardhmes, ne kemi ndaluar një moment për të marrë më shumë rreth kësaj eksperience që i bën ata bashkë...dhe Klea na i rrëfen pa drojë! Nga sipërmarrja në biznes, tek projektet për t'u rikthyer në televizion, puna me fëmijët, dashuria për Elgitin dhe planet e tyre, bukuroshja Klea Huta rrëfen gjithçka për lexuesit e Class. Mos e humbisni!

Klea, si lindi ideja e krijimit të akademisë që mban emrin tënd?

Asgjë nuk vjen rastësisht në jetën tonë! Ne luftojmë që të arrijme gjërat që duam. Luftojmë me kohën, luftojmë me mundësitë, me pengesat, por 'A la fine' kjo është jeta, me të bukurat, sakrificat dhe të vërtetat e saj. Ideja për të realizuar akademinë ka ardhur si pasojë e një ëndrre timen, e profesionit tim, marrëdhënies time me fëmijët dhe anasjelltas. Më pas bashkë me Gitin vendosëm për të krijuar një ambient edukues, krijues, frymëzues për brezat e së ardhmes. Mezi prisja momentin e duhur që të hidhja themelet si në realizimin e ëndrrës ashtu edhe në jetët tona. A ishte e lehtë? Sigurisht që jo. A ishte e pamundur? Sigurisht që jo. Të nisësh një biznes nga fillimi është njësoj si të lindësh fëmijën e parë...Në fillim ti nuk di pothuajse asgjë, si ta kapësh, si ta lash, si ta ushqesh, si ta veshësh e ta mbathësh dhe vetëm një ditë të bukur pasi ai ka filluar të ecë ti ke kuptuar e ke mësuar shumë gjëra bashkë me fëmijën tënd. Kështu ishte dhe fillimi për mua dhe Gitin. Kisha vetëm ëndrrën time dhe pasionin që më ndiqte nga pas dhe nuk më la vetëm, drejt një realizimi që nuk e dija si do shkonte dhe pse thellë brenda vetes e dija që do e ndërtonte suksesin e saj, ashtu pak nga pak: “Me hapa të vegjël, për një ëndërr të madhe”.

Pse vendosët që investimin e ri ta orientonit tek brezi i fëmijëve, i gjeneratës së re?

Sepse për hir të së vërtetës aktivitetet dhe ambientet artistike për fëmijë dhe brezat e rinj në Shqipëri ose mungojnë ose nuk i është kushtuar rëndësia e duhur në mbarëvajtjen dhe funksionimin artistik. Pa diskutim që ata janë brezi i së ardhmes. Të rinj, plot energji, plot imagjinatë dhe frymëzim. Bashkë me Gitin po luftojmë të mbështesim të rinjtë(artistë dhe këngëtarë) sepse brezi i gjeneratave të reja është “zhdukur” nga tregu muzikor dhe artistik. Ne duam të krijojmë modele që të ndiqen nga brezat e rinj, duam të jemi mbështetja e tyre e parë drejt një rruge ëndrre dhe pasioni. Të dy ne e dimë mirë çdo të thotë të të japi dikush dorën e parë. Gjithmonë nëse do e meritosh. Suksesi nuk vjen rastësisht!

Meqënëse jemi tek “KHA”, cilat janë planet e sezonit veror? Çdo të ndodhë me akademinë, do të mbyllet për të rifilluar në shtator apo do vazhdojë programi normalisht?

Sigurisht që akademia si fillim nuk do mbyllet. Do të vazhdojë aktiviteti, por në një tjetër drejtim! Pikë së pari dhe më e rëndësishmja është KHA “SUMMER CAMP” që do të zhvillohet në datat 21-30 Qershor. Një risi dhe një eksperiencë ndryshe për fëmijët shqiptarë. Një kamp për herë të parë me fjetje për 10 ditë e 9 netë me standartet më të larta të ushqimit, argëtimit, fjetjes, sigurisë dhe në diversitetin e bashkëjetesës në parkun e mrekullueshëm të Dajtit. Me një staf prej 12 të rritur, 6 animatorë sociale profesionist, 4 kujdestar për çdo grup, mjek, security për natën dhe sigurisht argëtim me shumicë! I bëj thirrje prindërve mos t'ja humbasin këtë super mundesi, integrimi, socializimi, argëtimi dhe edukimi fëmijëve të tyre nëse janë nga mosha 9-14 vjeç. Le të jenë këta brezi i parë që do thonë ne kemi fjetur për herë të parë në KHA “SUMMER CAMP”. Prinder “NUK DO LEJOHEN TELEFONAT”! Ndërkohë, projekti tjetër që kemi është KHA “SUMMER SCHOOL”. Një shkollë verore vetëm me argëtim, me prezencën e animatorëve socialë për aktivitetet përkatëse që kemi zgjedhur. Do të jenë të pranishëm në këtë “Summer School” prej 1 Korrikut deri në mesin e Gushtit, nga e hëna në të premten. Kemi dhe disa projekte të tjera shumë të bukura që me të nisur sezoni i ri do të startojme bindshëm. Por, si fillim na pret një verë e nxehtë dhe shumë e gjatë!

A ka qenë Elgiti mbështetja jote më e madhe në këtë sipërmarrje?

Giti është mbështetja ime më e madhe në gjithçka unë bëj. Ai është gjithmonë aty për të më dëgjuar dhe mbështetur. Zgjedhjet që bëjmë në jetë janë ato që përcaktojnë fatin tonë (të ardhmen). Unë jam e lumtur për çfarë kam zgjedhur, sepse kam fituar shumë. I jam mirënjohëse Zotit çdo herë.

Partnerë në jetë, partnerë edhe në punë. Të dy bashkë bëni fuqinë, por a mendon se do të kishe njësoj sukses në këtë nismë edhe nëse nuk do të ishte Elgiti pjesë?

Prej se jemi bashkë, nuk mund të imagjinoj si do ishte kjo nismë pa Gitin. Sepse praktikisht i bie të pyes veten si do ishte jeta ime pa Gitin? Sigurisht të dy do të ishim në jetët respektive, por kurrë siç jemi bashkë, ndaj dhe në këtë rast them, ajo ndoshta do ishte realizuar, por pa Gitin do i mungonte një pjesëz shumë e madhe, nuk do të ishte e plotë, siç është tani!

Klea të mungon televizioni?

Të gënjej të të them që jo. PO, në fakt më mungon shumë. Më vjen keq që dhe këtë sezon nuk isha disponibël për TV për shkak të angazhimit të madh që kam pasur me akademinë, megjithatë nuk mbetet me kaq. Mendoj që diçka shumë e bukur është rezervuar për mua. Më ka marrë malli shumë për publikun tim, dhe e di që edhe ata i ka marrë malli për mua sepse vazhdimisht më shkruajnë në privat. Di të them që mezi e pres rikthimin tim!

Cilën do të cilësoje si periudhën tënde të artë të angazhimit në ekran?

Mendoj që ky momenti nuk ka ardhur akoma sepse jam ende e re dhe me shumë energji për t'i dhuruar publikut spektakle siç unë i dëshiroj për veten time dhe aty ku unë ndihem vetvetja. Gjithsesi do të veçoja “Gjeniun e Vogel 6”. Ka qenë periudha më e bukur e jetës time profesionale. Emocione dhe kujtime që do të doja t'i përjetoja gjithë jetën.

Tashmë që fokusi yt parësor është akademia artistike, mendon që kjo do të të mbajë gjatë larg ekranit?

Nuk e kam menduar, megjithatë TV është pasioni im më i madh dhe dashuria e parë, madje akademia për mua do jetë mbështetje në TV. Mendoj që do ndjekin paralelisht njëra-tjetren në binomin më perfekt të mundshëm. Unë po punoj duke iu përkushtuar dhe dhënë gjithë energjinë time akademisë, punoj fort çdo ditë për të ngritur biznesin tim në të njëjtën kohë nuk do le pas dore pasionin tim për TV.

Klea, çfarë është suksesi për ty?

Suksesi është përkushtim dhe vlerësim ndaj vetes dhe punës. Është një mundësi që ne ja krijojmë vetes! Mundësitë nuk na ndodhin rastësisht, ne i krijojmë vetë ato. Fati nuk na vjen rastësisht, po ashtu vetë ne e krijojmë. Në këtë rast suksesi për mua është realizimi i pjesës më të madhe të ëndrrave të mia, që jam bërë e kam arritur atë që kam ëndërruar dhe menduar gjithmonë për veten, të asaj që kam dashur dhe më e rëndësishmja atë që kam besuar! Të besosh është arma më e fortë që kemi! Të besosh është diçka, të besosh me shpirt është gjithçka!

E dije që në krye të herës, që kjo ishte gjithçka doje të bëje në jetë?

Mbase pa dashur, mbase me dashje por po, e dija, më saktë e kam tërhequr vetë fatin tim. Gjithmonë kam ëndërruar të kem një biznes timin, asnjëherë nuk doja të punoja për dikë tjetër, gjithmone e shikoja veten kështu siç jam sot, paçka se vizioni im vazhdon dhe rritet. Sot ka ndryshuar vetëm perceptimi i të parit dhe të kuptuarit të gjërave, por ëndrrat vazhdojnë të jenë të së njëjtës gjini, vetëm se tani më të mëdha se dikur!

Ka diçka që të lumturon pa kushte?

Jam e dashuruar me natyrën, kafshët, macet dhe qentë në veçanti. Më falin një ndjesi të paqtë, të pavarur, të lirë! Më pëlqen liria, më pëlqen jeta, udhëtimet. Kam një ndjesi përhumbjeje dhe frymëzimi kur udhëtoj me makinë. Një nga gjërat që dua më shumë kur flitet për udhëtimet është vozitja. Jam dhe pilote e mirë(të paktën kështu më ka dalë nami).

Angazhimi juaj i momentit është akademia dhe ajo po ju merr pjesën më të madhe të kohës, por a gjeni pak hapësirë për veten? Ku do te pushoje sivjet Klea dhe Elgiti?

Nuk kemi fare asnjë plan për këtë verë. Planet që kemi për akademinë zënë njëra-tjetrën në radhë dhe s'kemi planifikuar asgjë. Nëse na shikoni në ndonjë avion ose udhëtim me makinë, dijeni që ka qenë vendim i çastit!

Credits:

Foto: Orsola Mema

Hair &Make Up: Suela Çangu

Stylist: Miranda Dupi

Veshjet: Twinset Albania

Dekor: Class Events

Produkte: Sezon Dekor

Design: Xhesika Berisha