Ishte fillimi i viteve 2000 atëherë kur ekranet private shqiptare sapo kishin nisur të shfaqeshin. Nuk kishte personazhe ashtu si sot, as intervista e programe të larmishme ku mund të gjeje të ftuar, por ai ia doli jo vetëm t’i ulte përballë vetes, por edhe t’u zbulonte VIP-ave një profil krejt të ri, blu, të parrëfyer publikisht më parë.

Kush e ka ndjekur Bledi Strakoshën që nga fillimet e tij në ekran, me siguri, e mban mend mjaft mirë programin me të cilin ai solli një lloj revolucioni në ekranet shqiptare. “Blue” nisi transmetimin në vitin 2003 dhe për shumë sezone u bë programi më i preferuar i orëve të vona. Edhe sot, pas shumë viteve pasi ai nuk shfaqet më, Bledin të gjithë e kujtojnë dhe e identifikojnë jo rrallëherë si “Bledi i Blue-së”.

Por nuk paska mbetur me kaq. Pothuaj në një format të ngjashëm me “Blue”, sot do të nisë transmetimin një program i ri, i cili do të ketë në fokus një personazh që flet për jetën profesionale dhe personale, për emocionet, si edhe për të pathënat – në një intervistë krejtësisht ndryshe.

“Me Bledin” është projekti i ri i Bledi Strakoshës, i cili nis sonte me një intervistë ekskluzive me Jonida Maliqin. Intervista me të thëna e të pathëna, sekrete të jetës në ekran e jashtë tij, do të vijnë në një koncept të ri, për të cilin Bledi dhe stafi i programit kanë nisur të punojnë prej kohësh.

Gjithë emisioni është konceptuar të ndërtohet në vende të ndryshme: në bar, në palestër, në dhomën e gjumit etj.

“Me Bledin” nis transmetimin sot, në orën 21:00 në RTSH 2. Emisionin mund ta ndiqni gjithashtu livestream në YouTube.