Ju e dini, halli më i madh për nënat kur vajzat kalojnë një moshë është martesa. Edhe Rita Lati nuk bën përjashtim nga nënat e tjera, megjithëse është artiste e megjithëse është moderne. Shpeshherë, edhe në publik, ajo e porosit Rozën “shiko, se mos na mbetesh në derë”. E di që e bija, me natyrën që ka (e bija e së ëmës), do të bëjë zgjedhjen që do një ditë, por derisa ajo ditë të vijë, Rita do të vazhdojë t’i japë porosi.

Megjithatë, mes shumë porosive, këshillave e udhëzimeve për të gjetur një njeri të mirë, për 25-vjetorin e Rozës, aktorja e njohur e humorit i tha diçka që ajo nuk e priste, madje mbeti e habitur nga ajo që tha Rita, që tashmë kishte ndryshuar mendim në lidhje me raportin e Rozës. Ç’të bënte, u lodh me të njëjtat këshilla…

Nënë e bijë ishin sot të ftuara në “Xing me Ermalin” për të folur për raportin e tyre të ngushtë si rrallë nëna e vajza kanë, për sakrificën që u është dashur të bëjnë vetëm të dyja, si edhe për përballjen me opinionin, me publikun dhe me gjithçka që jeta e një artisti gjen rrugës së tij.

Me humor e me batuta, Roza e Rita zbuluan edhe sekrete për njëra-tjetrën, aq sa “nuk lanë gjë pa thënë”, por Roza rrëfeu publikisht atë që i tha e ëma për 25-vjetorin e lindjes: “Në 25-vjetorin tim, me tortën përpara, me dy qirinjtë, me njerëzit, familjet të gjithë që ishim, sapo fryj qirinjtë, ndjej një dorë të ngrohtë në shpatullën time nga nëna ime, më afrohet dhe më thotë: “Të keqen mami, edhe po s’të duroi dot njeri në jetë dhe po s’ta vari njeri në jetë, s’ka problem se do bësh një bebe me fekondim dhe do e rritim bashkë të keqen mami…” – qeshi Roza dhe Rita pas saj pohoi deklaratën, të cilën nuk gjeti arsye ta justifikonte, edhe pse të gjithë këtë e tha me humor.