Make-up artisti i njohur, Dario Doka, i cili e ka shprehur publikisht orientimin seksual, i ftuar mbrëmjen e së shtunës në “Mos i fol shoferit”, ka treguar për reagimin e familjes dhe të shoqërisë pasi kanë mësuar se Dario ka prirje të ndryshme seksuale.

Pjesa kur familja e mësoi apo ku e kishte kuptuar orientimin e Darios nuk ishte një periudhë e lehtë. Ama as e vështirë meqenëse shenjat ishin dhënë dhe ata e kishin kuptuar. Pasi moderatorja Rudina Dembacaj e pyeti si ka reaguar familja kur mësoi se Dario është gay, grimieri tregoi:

“Në fillim e ka marrë vesh motra më e madhe. Unë kam një motër dhe një vëlla. Motra e dinte pak a shumë, thjesht nuk kishte ardhur të ma thoshte. Unë shkova vetë dhe ia thashë të gjithë historinë time dhe ajo më tha tha: “Unë e dija pak a shumë, por nuk ka asnjë ndryshim mes nesh, mjafton që ti më the dhe unë dua akoma më shumë të jesh i lumtur. Vëllai nuk tha absolutisht asgjë. Pastaj mami e mori vesh vetë, duke dëgjuar bisedat që unë bëja në telefon me një lidhje që kam pasur. Si çdo nënë, që vjen e dëgjon se ç’bën fëmija. Ditën tjetër patëm një bisedë, të ftohtë mund të them. Më tha: “Shiko, këto nuk janë gjëra të mira, mos ndoshta shoqëria? Ti nuk je në rregull…” Pas një jave, një kushëri imi vjen në shtëpi dhe unë dëgjoj bisedën që ai bën me mamin. Mes të tjerave, dëgjoja që mami thoshte “është fëmija im, sido që të jetë. Unë do ta mbroj me mish e me shpirt.” Unë i shkoj dhe i them: “Seriozisht e ke?” “Po, je fëmija im dhe nuk po bën asgjë të keqe.”

Dario Doka tregoi edhe se në Shqipëri ka shumë gay dhe së fundmi sa vjen dhe e shprehin më shumë orientimin e tyre.

Ajo që ai nuk pranon është se ka shumë burra, të cilët kanë grua dhe fëmijë, janë gay dhe fshihen. Ai shprehet se kjo gjë është turp, që krijojnë familje, fshihen dhe nuk e shprehin orientimin e tyre seksual duke e marrë në qafë dhe familjen.

Dario ke pasur ndonjë mik gay apo ish- të dashur që ishit bashkë dhe deklarohej si hetero?

“Po, këtu tek ne ka shumë. Unë nuk dua të them emra, thjesht ka shumë meshkuj. Këtu tek ne thonë “hë mo, ju shtoheni dita-ditës.” Nuk shtohet njeri, thjesht mund të dalin hapur ose merren vesh që janë. Edhe heterot që hiqen si laca, kanë diçka brenda. Këtu në Shqipëri ka edhe burra që kanë gruan dhe fëmijët në shtëpi dhe janë gay, më beso, dhe kjo është turp. Kjo është turp, sepse merr në qafë gruan dhe fëmijët. Më mirë dil hapur dhe dili jetës mbanë, siç i kam dalë unë. Unë nuk marr një grua, sepse do Shqipëria, babi apo mami.”