Është një këngë e famshme e Robert Aliajt ajo që i kujtohet mjaft mirë, sidomos brezit të viteve ’80. “Dy gjysma molle” – një nga hitet e këngëtarit të njohur i referohej asokohe dy fëmijëve moshatarë, në kushte sa të rastësishme, aq edhe të barabarta… Dy gjysmat që bëjnë një të tërë të ngjashme: “… nga xhepi nxjerr një mollë e ua ndaj, gjysmën atij, gjysmën djalit tim”.

Fabula e këngës, në fakt, i kapërcen kufijtë e “mollës”, por qëndron aty për të dhënë ngjashmërinë e tipareve, cilësive, pozicioneve – sado kohë të kalojë. “Gjysma” e mollës shëtit në kohë derisa gjen Galën, vajzën e artistit që trashëgon kryekëput çdo detaj që jo vetëm dikur, por akoma edhe sot, i bën diferencën babit të saj artist.

Shumë vite me vonë asaj kënge dhe hiteve të tjera të Robertit, ngjitet në skenë Gala, vajza e tij adoleshente, e cila përjeton të njëjtat ndjesi si i ati dikur pas një fitoreje. Kjo e fundit, për hir të së vërtetës, bëhet më e vështirë në një vend që nuk është yti, ku konkurrenca është e ashpër dhe aspak dashamirëse nga fakti që ke babanë këngëtar, artist apo “me një post” tjetër çfarëdo. Përkundrazi, në këto rastet e fundit bëhet edhe më e rreptë.

Mbrëmjen e së premtes, Gala shkëlqeu nga skena e “Thë Voice Kids” në Belgjikë, duke bërë krenarë jo vetëm familjen e saj, por edhe të gjithë publikun shqiptar që e ndoqi nga ekrani. Dy performancat e jashtëzakonshme, me interpretimin drithërues, risollën edhe një herë në mend interpretimin e Robertit dikur – me zërin e ëmbël dhe origjinalitetin skenik – që bënte për vete çdo shpirt të riu dhe përtej.

Por Gala, ashtu si i ati, nuk e prezantoi veten në skenë vetëm me një aset (duhet ta themi që del e tepron) – talentin. Një njeri i skenës si Roberti, e di mjaft mirë që skena kërkon edhe disa elementë të tjerë që të plotësojë të tërën.

Stili është ai që u vu re që herën e parë kur Gala u ngjit në skenë. Një adoleshente që dashuron të zezën nuk është gjë e re, por aksesorët me të cilët kombinon veshjen, detajet unike që i vendos, bishtalecat, grimi – i shtuan Galës më shumë pikë në profilin e saj të përgjithshëm.

Detaji patriotik, ashtu si te Roberti, ishte i dukshëm edhe te Gala. Njëlloj si ai, ajo nuk e fsheh origjinën, përkundrazi e rrëfen atë me krenari. Këtë e bëri edhe me një unazë – me shqiponjën dykrenare që mbante në gisht, e cila tërhoqi vëmendjen jo vetëm të mediave tona, por edhe të atyre vendëse.

Origjinaliteti. Ju e njihni mirë Robertin dhe natyrën e tij origjinale të të menduarit, pavarësisht zhurmës që krijon në publik. Edhe Gala, me performacat e saj, risolli në skenë një mënyrë tjetër të kënduari – larg kopjimit të këngëtarëve origjinalë të këngëve të zgjedhura prej saj. Ndaj edhe juria e publiku e duartrokiti edhe më fort.

Modestia. Ishte fare rastësore pjesëmarrja në “The Voice”. Vetë Gala ka treguar se ishte një vendim i minutave të fundit. Por ja ku është sot, një natë pas fitores së madhe – me një triumf në dorë. Por nuk e bërtiti talentin, vetëm e shfaqi. Si i ati, që gjen gjithmonë hapësirë ta bëjë edhe jashtë muzikës – në çdo fushë tjetër të artit të tij origjinal.

Gala dhe Roberti, “dy gjysma molle” që kur bëhen bashkë si në këtë foto origjinale, s’ka forcë në botë që t’i ndajë. Sepse janë bio…