Janë disa këngë të vjetra që mbase shumica nga ne i ka harruar, mirëpo na mjafton vetëm një refren i vogël për t’i kujtuar ato. Në fakt, përveç se kujtojmë tekstin, kujtojmë edhe këngëtaret që i kanë sjellë dikur këto hite. Ato duket sikur janë zhdukur dhe se koha i ka tretur disi. Ato kanë zgjedhur ta lënë mënjanë muzikën dhe të fokusohen në profesione të tjera, ose kanë preferuar t’i përshkutohen plotësisht familjes.

Cilat janë këto këngëtare që i mungojnë skenës shqiptare? Me siguri do të ndjeni nostalgji kur t’i shikoni dhe t’i sillni sërish në kujtesë:

Mirsa Kërqeli

Kush e harron hitin e Mirsës dhe Lyrical Son “Punë e madhe”? Me siguri edhe sot e dini mirë tekstin e kësaj kënge. Mirsa ishte një këngëtare mjaft premtuese në vitet 2007, atëherë kur solli bashkëpunime me Lyrical Son dhe Genc Prelvukaj. Mirëpo, diçka ndodhi dhe Mirsa u shkëput disi nga muzika. Ajo është martuar dhe ka dy fëmijë. Mirsa ka zgjedhur të këndojë në dasma ose në festa të ndryshme familjare.

Joana Smakaj

“Zemrën ndeze” ishte kënga e parë e Joanës, që do ta bënte të njohur për publikun. Joana solli disa këngë të njëpasnjëshme, por pas shtatzënisë së dytë ajo vendosi të shkëputej nga muzika. Joana është e martuar dhe ka një vajzë dhe një djalë. Joana e ushtron tashmë profesionin e saj si juriste.

Dafina Rexhepi

Bashkëpunimi i saj me MC Kreshën mbahet mend edhe sot. Dafina Rexhepi u pëlqye shumë nga hiti “Delicious”, mirëpo më pas ajo vendosi të mos ishte aq aktive në muzikë. Gjithsesi, një vit më parë ajo publikoi një këngë të re “Gimme your love”, për të treguar që nuk është “ndarë” komplet nga muzika.

Leonora Poloska

“Të dua, s’të dua, nuk ke shans me mua”, e kush nuk e mban mend këtë refren nga Leonora Poloska. Në vitet 2010, Leonora ishte mjaft aktive në muzikën shqiptare. Tashmë Leonora është shkëputur, është martuar dhe ka një vajzë.

Adelina Thaçi

Hiti i saj “Sonte” dikur pëlqehej shumë, por edhe sot me siguri kujtohet njësoj teksti i asaj kënge. Adelina Thaçi vazhdon të mbetet aktive në muzikë në një formë tjetër. Ajo është pjesë e Filarmonisë së Kosovës. Adelina është e martuar dhe ka një vajzë.

Jehona Sopi

Nëse nuk je aktiv në rrjetet sociale, fillon dhe harrohesh disi nga fansat. Jehona Sopi, siç na ka treguar mikesha e saj e ngushtë Vesa Luma, refuzon të hapë një llogari në rrjetet sociale. Jehona është distancuar nga muzika dhe po e ushtron profesionin e psikologes. Ajo është e martuar dhe ka një vajzë.