Cherie Blair, bashkëshortja e ish-Kryeministrit britanik Tony Blair, në kujtimet e veta për jetën pranë një politikani, thoshte: "Unë nuk kam pse t’i ndryshoj drejtimet e mia në jetë, vetëm pse im shoq ndryshoi punë"… Një prej bindjeve që asokohe u mbështet nga shumë gra në karrierë, nga ato me pushtet dhe punë krejtësisht të pavarur, pavarësisht profesionit apo politikave që bashkëshortët duhet të ndiqnin nisur nga kushtet apo rrethanat e kohës.

Mes zonjave “në parapaskenë”, atyre që fare pa zhurmë bëjnë punën e tyre të shkëputura tërësisht nga profesioni i bashkëshortit, në mënyrë të pavarur, është edhe Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit, e cila, pavarësisht zhurmës së madhe që bën politika, mban një profil të admirueshëm publik duke vijuar profesionin e saj, por natyrisht duke gjetur rastin të dëgjohet sa herë bëhet fjalë për të drejtat e grave, për lirinë dhe për mbështetjen e tyre. Aq më tepër, kur është fjala për të ndihmuar. 

Së fundi, Linda Rama ka lajmëruar përmes një postimi në profilin e saj në Twitter, se i është bashkuar apelit të fondacionit të Cherie Blair, i cili ka në fokus të rritë potencialin e grave në vende të ndryshme të botës dhe ta bëjë zërin e tyre unik anekënd globit.

“E privilegjuar që sot në #WomensEntrepreneurshipDay të bashkoj zërin me @CherieBlairFndn për gratë sipërmarrëse në vendet me të ardhura të mesme e të ulëta. Pavarësisht përballjeve të këtij viti unikal në jetën tonë, gratë sipërmarrëse mbeten shembuj shprese! Mbështetini ato!” – shkruan Linda në profilin e saj.

Po çfarë është ky fondacion?

Cherie Blair, një prej grave që ka shërbyer si model frymëzimi e lirie për mijëra gra të tjera në shtete të ndryshme të botës, mbetet ende edhe sot ikonë e zërit femëror.

Fondacioni që mban emrin e saj, “Cherie Blair Foundation”, ndihmon në rritjen e potencialit të grave sipërmarrëse, në vendet që janë me të ardhura të ulëta ose të mesme. Që nga çelja e këtij fondacioni, në vititn 2008, janë mbështetur drejpërdrejt mbi 175 mijë gra në më shumë se 100 vende të botës. Pjesë e këtij fondacioni janë bërë me qindra gra të pushtetshme në të gjithë botën, mes të cilave edhe Hillary Clinton, Sheryl Sandberg etj.

Çfarë mbështetjeje siguron ky fondacion?

Ky fondacion i ndihmon gratë të fillojnë të rritin në mënyrë të suksesshme biznesin e tyre të vogël, nëpërmjet trajnimeve, teknologjisë, mbikëqyrjes, si dhe, më e rëndësishmja, nëpërmjet mbështetjes morale dhe psikologjike. Kjo lloj mbështetjeje i fuqizon gratë të krijojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e tyre, si dhe ndihmon komunitetet të kontribuojnë në një ekonomi më të fortë dhe ta lëvizin botën në një drejtim të ri.

"Roli ynë është të ndihmojmë gratë të kapërcejnë pengesa. Me partnerët tanë në të gjithë botën, ne ofrojmë trajnime, udhëzime dhe njohuri për fushën e biznesit. Ne nxitim ndryshimin dhe nuk lejojmë që gratë që kanë pasion sipërmarrjen të frenohen për shkak të mundësive të pakta" – është motoja që shoqëron fondacionin në mbështetje të grave në të gjithë botën.