Stilisti i famshëm francez Thierry Mugler është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare. Lajmin e kanë bërë të ditur përfaqësuesit e tij.

Ai ishte i njohur për dizajnet e frymëzuara nga magjepsja e viteve 1940 dhe 50. Modelet e Mugler janë veshur nga yje, si David Bowie, Lady Gaga, George Michael, Sharon Stone, Rihanna etj. Ai krijoi shumë kostume skenike për Beyoncé-n dhe në vitin 2019 projektoi "fustanin e lagur" të famshëm të Kim Kardashian për Met Gala.

Marka e tij u bë e famshme për parfumet, si Angel dhe Alien.

"Jemi të shkatërruar të njoftojmë vdekjen e z. Manfred Thierry Mugler të dielën më 23 janar 2022," konfirmoi një postim në llogarinë zyrtare të Mugler në Facebook.

Agjenti i tij tha për agjencinë e lajmeve AFP se ai vdiq nga shkaqe natyrale. Agjenti i Mugler tha gjithashtu se ai kishte planifikuar të shpallte bashkëpunime të reja këtë javë.

I lindur në vitin 1948 në Strasburg, ai ishte një sipërmarrës i talentuar dhe në moshën 14-vjeçare ishte kërcimtar me Balet du Rhin. Ai ishte gjithashtu një akrobat dhe model. Me një interes të hershëm për të krijuar veshjet e tij, Mugler hapi butikun e tij të parë në Paris gjatë viteve 1970.

“Nuk isha i sigurt se çfarë doja të bëja, por moda më pushtoi shumë shpejt në Paris, sapo tregova skicat e mia”, tha ai së fundmi për Women's Wear Daily.

Mugler u bë i njohur për dizajnet e tij të theksuara si në ije dhe shpatulla, me dekolte të thella dhe bel të shtrënguar. Mugler ia shiti të drejtat e emrit të tij Clarins në 1997, disa vite pasi lançoi parfumin e tij Angel, me markën.

Të shumta ishin modelet e famshme, por edhe njerëz të tjerë të njohur që i bënë homazhe stilistit dhe mikut të tyre në rrjetet sociale.