Në një intervistë për T7, Elita Rudi foli për mëmësinë, marrëdhënien me Gjikon si dhe karrierën që për momentin ka mbetur në pauzë për shkak të përkushtimit të saj ndaj rritjes së fëmijëve. Ajo tha se marrëdhënia me Gjikon ka ndryshuar që prej fillimeve, sepse kur në jetë vijnë fëmijët shtohen përgjegjësitë dhe detyrimet. E ndërsa Gjiko është gati të mirëpresë edhe fëmijë të tjerë, Elita shprehet e bindur se nuk do të ketë zgjerim të familjes, sepse ndihet shumë e përmbushur.

“Unë e kam përfunduar me fëmijët. Nuk ka një beb numër 3. I them bashkëshortit tim publikisht ‘Jo’! Jam shumë e përmbushur dhe jam gati ta shfrytëzoj energjinë time në një dashur të vjetër, siç është televizioni,” -u shpreh moderatorja.

Sa i përket rikthimit në televizion, ajo tha se ka pasur oferta në Shqipëri, por nuk mund ta lërë Kosovën. Po ashtu, Elita theksoi se nuk do të donte një projekt që ka lidhje me showbizin.

“Kam patur oferta nga Shqipëria, por nuk mundem të shkoj atje. Është sakrificë e madhe dhe nuk mund të ndryshoj rrjedhën e jetës, as për vete, as për familjen. Nuk do doja një projekt që ka lidhje me showbizin. Nuk ndihem sikur mund t’u bëj pyetje provokative të ftuarve,” -u shpreh Elita, duke prekur më pas edhe lajmet që qarkulluan se ajo do të prezantonte Përputhen.

“Ka patur shumë thashetheme, por vendimi im është marrë dhe unë do qëndroj në Kosovë. Për mua është shumë e rëndësishme familja, kështu që këtu do qëndroj.”

Elita u pyet edhe për marrëdhënien me nënën e Gjikos, për të cilën tha se flet hapur si shoqe, jo si vjehrrë dhe e ndihmon shumë.