
Endri Prifti ka ndarë mbrëmjen e djeshme një pjesë shumë personale të jetës së tij familjare, gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”. Këngëtari ka folur hapur për periudhën trevjeçare në të cilën nuk ka takuar djalin e tij të vogël dhe për ribashkimin që ka ndodhur vetëm katër muaj më parë.
“Kam 2 djem. Tani e takova edhe djalin e vogël, para katër muajsh pas tre vitesh. Më erdhi vetëm më tha më ka marrë malli. Më iku truri fare mua. Nuk ka gjë më të bukur se të jesh afër fëmijëve. Kur nuk e shikoja djalin e vogël, më dukej vetja bosh. Nga mungesa edhe abuzonim një çikë. Nga një gotë tani do e pimë ne. Një gotë raki ngordh mikrobet”, tha ai.
Ai pranon se periudha kur nuk e shihte djalin e vogël ka qenë e vështirë, duke e përshkruar veten si të “zbrazët” në mungesë të tij, ndërsa e shoqëron tregimin me tone autoironike kur flet për gotën e rakisë.
Pjesë e bisedës ka qenë edhe marrëdhënia me të atin, të cilin, siç tregon, nuk e ka pasur pranë gjatë fëmijërisë. Endri e lidh këtë mungesë me kontekstin e kohës, duke iu referuar periudhës së komunizmit dhe realiteteve të asaj kohe.
“Unë fal çdo njeri në jetë. Jeta kështu ishte atëherë, komunizëm. Unë babin se kam parë asnjëherë, vetëm në rrugë. Kështu ishte jeta. Kur kaluan shumë vite e takuam në një dasmë. Do donim ta takonim por kaluan shumë vite dhe ai s’kishte më forcë të na takonte. Kështu ndodhi. Ishim larg. Të falur janë të gjithë”, tha Endri.
