
Në studion e “Goca dhe Gra” në Top Channel, e ftuar ishte Sara Kapo, vajza e aktores së njohur Ema Andrea.
Si hyrje, Ema e kornizoi momentin me një sqarim të thjeshtë: deklaratat e dashurisë nuk janë asnjë shkelje e papranueshme, as private në kuptimin e ngushtë të fjalës, sidomos kur bëhet fjalë për një nënë dhe fëmijën e saj.
“Kur u vendos të ftohet këtu fati im i jetës time që je ti, artistja Sara, po mendonim, gjithmonë se nuk mund ta mohoj që diçka artistike duhet ta ofroja për ty, për publikun, e ku di unë. Dhe po mendoja të të thoja një poezi, por pastaj u ula, thashë ta shkruaj një poezi.
Nuk do qajmë, se e di që ti nuk i do të qarat në televizion, siç nuk i dua dhe unë. Po ne sot të gjithë po e deklarojmë dashurinë dhe, tekefundit, nëse një nënë deklaron dashurinë për fëmijën e vet, nuk besoj se ka ndonjë sakrilegj publik apo mediatik.”
Ajo e pranon se ajo që nisi si poezi, doli në fakt një poemë, një tekst i gjatë ku fjalët kyçe janë “më fal” dhe “faleminderit”.
“E kur e shkruajta këtë poezinë që doli poemë, kishte shumë 'më fal' dhe shumë 'faleminderit'. Ishte shumë e gjatë. Nuk dija t’i ndaja sekretet në rreshta, nuk e mbaj mend, mbaj mend shumë pak, nga fakti që të kërkoj falje se, duke u përpjekur të të ruaj ty nga hijet e mia, unë kam krijuar rrathë në sytë e tu.
Se kur ndiej në tingullin tënd të zërit dridhje, më duket sikur janë pasojë e mungesave të mia. Se… se nuk do doja kurrë që ti të vazhdoje të rriteshe me fjalinë e gabuar ‘mos, se mërzitet mami’, se tani ti je një grua.”
Më tej, Ema prek një nga momentet më të vështira të jetëve të tyre, të cilin edhe Sara e kishte përmendur më herët në emision: mendimin për t i dhënë fund jetës. Këtu, fokusi zhvendoset nga faji te mirënjohja dhe nga lëndimi te shpëtimi.
“Dhe fjala jote që do të mbart derisa t'i fik sytë në këtë jetë, është e një nate, ku mua më dukej shumë bukur të fluturoja, jo për me i hap sytë, dhe ti the: ‘O ma, akoma s’ke fjetur?’
Unë jam sot këtu me ty prej asaj fjale dhe doja të të thosha, që ta mbyll se…Zoti më dha jetën, ti më mësove ta dua jetën. E midis Zotit edhe teje, unë zgjedh ty.”
