Përgjatë  kësaj jave, jo vetëm moti nuk ishte në favorin tim, por as shëndeti. Por edhe këtë periudhë e marrë me sportivitet pasi më ndodh rrallë dhe nuk zgjat shumë, ama e kam frikë kur vjen për diçka …Si do ja bëj me palestrën? Sa kohë do më duhet të rikuperohem? Ku do e gjej fuqinë? A më bën mirë?

Në përgjithsi aktivieti fizik nuk sjellë asgjë tjetër veçse benefite ndaj mirëqenies dhe shëndetit tuaj. Për më tepër, është e vërtetuar dhe e stër-vërtetuar shkencërisht që angazhimi me aktivitete fizike ul ndjeshmërisht shkallën e sëmundjeve. Personalisht mund të sëmurem dy herë në vit maksimumi, dhe asgjë nuk më zgjat më shumë se pesë ditë.

Sidoqoftë ka raste në varësi të gjendjes shëndetësore ku nuk rekomandohet dhe madje sjell komplikime. Është gjithmonë mirë t’i dimë këto raste, pasi të gjithëve na ndodh të sëmuremi ndonjëherë, qoftë shpesh ose jo.

Nëse dhe ju po kaloni momentalisht një ftohje apo grip ku keni simptoma si këto të mëposhtme, por njëkohësisht nuk doni të mbeteni mbrapa me palestrën, vazhdoni leximin në vijim.

Kam kaluar në një lloj ftohje, me grykë, temperaturë(vetëm në ditën e parë), bllokim hundësh, dhimbje veshi dhe kollë. Po po, thjesht më goditi një mëngjes përnjëherësh. Sigurisht dita e parë ishte më e “vështira”, ku si rrallëherë shpenzova një ditë të tërë shtrirë duke mbaruar një serial të ri në Netflix.  Nuk e shpreh këtë pa arsye, por sepse ky është pak a shumë një problem i imi: Që ndonjëherë e kam të vështirë të pushoj e të mos bëj absolutisht asgjë. Trupi ynë ka nevojë ndonjëherë për ditë të tilla qetësie dhe rikuperimi, kur keni një jetë dinamike dhe tepër aktive në përgjithësi.

ÇFARË BËRA UNË?

Pasi u stërvita ditën e dytë, përveçse normalisht nuk kisha fuqinë e zakonshme, por kisha dhe të vështirë të bëja cardio, kështu kalova në pesha. Ndryshimi që bëra (dhe që rekomandoj) është që bëra të njëjtat ushtrime, por në disa prej tyre ula numrin e seteve, dhe peshën e zakonshme, ama zgjata herët (reps) e kështu me rradhë. Gjithmonë duke dëgjuar trupin tuaj kur keni nevojë të pushoni, pa rrezikuar shëndetin. Pasi ky nuk është momenti ku të sfidoni veten tuaj, jo kur jeni sëmurë. Dhe ky është rregulli i parë.

JA KUR JU NDIHMON AKTIVITETI FIZIK GJATË KOHËS KUR JENI SËMURË

Është mjaft interesante dhe e thjeshtë për t’u mbajtur mend se çdo simptomë nga qafa e lartë nuk ju privon nga aktiviteti fizik. Me një përjashtim që do e lexoni tek lista e dytë më poshtë. Por, sigurisht mos e egzagjeroni, merreni lehtë stërvitjen.

Simptoma të tilla si:

·         Kur keni marrë një ftohje të lehtë me dhimbje fyti.
Aktiviteti këtu mund të ndikojë në rikuperim dhe më të shpejtë dhe sekreti është tek nxehja e trupit dhe dalja e djersës në sipërfaqe të lëkurës.

·         Dhimbje veshi.
Kur kemi një problem ,kemi tendencën të shpërqëndrohemi më lehtë. Po pra, bëni të njëjtën gjë këtu. Pak palestër, vrap, ecje apo xhiro me biçikletë do ju bëjnë ta harroni fare dhimbjen dhe si rezultat, të zhduket.

·         Bllokim hundësh.
Nëse bllokimi është i lehtë, shanset që të ndiheni pothuajse 100% të rikuperuar në fund të stërvitjes janë mjaft të larta. Kjo si rezultat i frymëmarrjeve të shpeshta në temperaturë të ngrohtë të trupit. Dhe pse nëse keni pak më shumë komplikacione merreni avash-avash, ose pushim. Nuk është e këndshme të kesh peceta me vete në momentin kur ushtrohesh, gjithsesi.

KUR NUK DUHET TË USHTROHENI NË PALESTËR

Gjëja që duhet të mbani mend rreth simptomave që do ju ndalojnë të shkoni në palestër për ca kohë janë kryesisht ato nga qafa e poshtë më seriozet. Por këtyre, si më të rëndësishme për t’u mbajtur mend do ju jap një shpjegim pak më të gjerë.

·         Çdo lloj gjendje gripale me temperaturë mbi 37.

Kjo për arsye se jo vetëm shkaktohet kryesisht nga ndonjë bakter apo virus, por edhe sepse gjithmonë shoqërohet me debulesë, dehidratim, dhimbje të muskujve dhe reduktim i oreksit. Nëse do të ushtroheshit në këtë gjendje, përveçse do ishte e vështirë nga ana e fuqisë po rrrezikoni të dehidratoheni në masë, si dhe të përkeqesoni akoma dhe më shumë gjendjen tuaj. Për më tepër që kur jeni në këtë gjendje muskujt tuaj janë në gjendje të kufizuar “fuqie”, nuk kanë rezistencë si gjithmonë dhe si pasojë mund të rrezikoni të dëmtoheni.

·         Kolla e shpeshtë apo me sekrecione.
Fillimisht, nëse keni një kollë të shpeshtë nuk ka efekte negative në trup por çdo gjë ndikon në frymëmarrjen tuaj duke ju vështirësuar shumë proçesin. Ju nuk do të jeni në gjendje të mbusheni lirshëm me frymë shpesh apo të bëni vrap pa ndalesa. Sidoqoftë nëse kollitjet e lehta nuk janë dhe aq penguese për ju, duhet ta shihni më seriozisht nëse kjo kollë shoqërohet me sekrecione. Këto sekrecione janë pasojë e një infeksioni dhe duhet të merrni mjekim. Por e rëndësishme këtu është të përmend faktin se rrezikoni dhe të tjerët pasi palestra është një ambjent i mbyllur publik, ku mundeni lehtësisht t’ja ngjisni infeksionin tuaj të tjerëve.

·         “Nga qafa e poshtë”
Çdo gjë duke përfshirë përzjerje, helmime apo dhimbjet e stomakut, dhimbje trupi, diarre, ethe, apo bronshit.
Çdo problem që prek stomakun dhe diareja ju çon drejt dehidratimit të trupit tuaj, gjë që e bënë një “JO” të madhe aktivitetin fizik. Sigurisht nuk është nevoja të hymë më tepër në detaje për këtë të fundit. Pasi nëse gjendeni në një nga këto situata, gjëja e fundit që do ju shkon në mendje është stërvitja.

Siç thashë, nuk ka asgjë të keqe me një ditë komplet parazite në shtëpi, shtrirë duke parë TV, FB, IG apo duke u informuar për shëndetin tuaj (siç po bëni tani), shoqëruar nga një filxhan i ngrohtë kafeje. Apo çaji, ju e dini. E rëndësishme është të mos e bëni përditë këtë. Gjeni vullnetin për të qenë aktiv për sa kohë keni ende fuqi, koha që “s’keni” është justifikim.

SHËNIM: Jam e hapur për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me eksperiencat tuaja apo çdo gjë që ka lidhje me rrugëtimin tuaj të fitnessit.

Vendi ? INSTAGRAM: https://www.instagram.com/adelaosmani_/

“Be kind and caring to your body.

Your health is both your reward & fault.”

LOYALTHY by Adela Osmani