Të gjithë i kemi parë javët e famshme të modës që mbahen kryesisht në Paris, New York, Londër dhe Milano. Kemi parë, ndër të tjera, që të ftuarit në FW janë të kuruar e të veshur me brande nga më të njohurat, por, të jemi realist, çmimet e tyre jo të gjithë mund t’i prekin.

Gjithsesi, unë kam menduar të ndaj me ju disa mënyra se si të dukemi IN dhe si në Fashion Week çdo ditë, pa qenë nevoja të shpenzojmë shumë para në brande të shtrenjta. Këto lloj veshjesh mund t'i gjejmë fare lehtë në dyqane të zakonshme..

Ngjyrat neon

Me sa duket, ngjyrat neon janë tejet të përhapura këtë sezon pranverë-verë 2019. Kemi parë kudo në Instagram, që ngjyra jeshile neon është ajo që mbizotëron më tepër. Stilistë nga më të njohurit nuk i kanë kursyer në koleksionet e tyre këtë vit detajet e kësaj ngjyre; në çanta, këpucë, fustane etj. Unë zgjodha një fund të gjatë saten neon dhe vendosa ta kombinoj me një T-shirt të thjeshtë, me pak detaje të zeza, dhe një palë atlete të bardha (të cilat s'duhet të na mungojnë këtë sezon). Pra, një element në ngjyrë të fortë neon do të shkonte shumë me një T-shirt çfarëdo dhe atlete për një look casual dhe sa më femërore.

Printet

Në garderobën time, mundohem që gjithmonë të mos më mungojnë larmia e ngjyrave në një element, p.sh një fustan apo bluzë me më shumë se dy ngjyra. Sepse është shumë e thjeshtë për t'i kombinuar dhe për t'i veshur në raste të ndryshme, por duhet të kemi parasysh materialin që zgjedhim. Nese do të donim të vishnim një fustan me printe edhe në një mbrëmje/event me një palë taka, material i të cilit do të ishte pambuk, nuk do të ngjante bukur. Unë vendosa të vesh një fustan të gjerë me ngjyra pranverore dhe e kombinova me një palë shapka të sheshta ngjyrë mustardë. duke qenë se edhe tek fustani dominojnë detajet e kësaj ngjyre.

Xhinset straight-leg

Shumë të përhapura këtë sezon, pa asnjë dyshim! Në Fashion Week ishin të shumta ato që kishin zgjedhur të kompletonin look-un e tyre me xhinset straight-leg. Ato shkojnë shumë si me atlete, shapka, taka, sandale, por edhe për çdo rast. Për mua është shumë e rendësishme që në garderobë të kem rroba të cilat t'i vesh jo vetëm për një rast dhe, ndër të tjera, të kem mundësinë t'i kombinoj çdo herë ndryshe. Këtë herë vendosa që xhinset straight-leg të jenë të zeza dhe charcoal, dhe i vesha me një kanotiere saten të zezë dhe një palë këpucë pink dhe të zeza, me takë të ulët dhe jo të hollë. Këtë look do ta vishja edhe në një ditë të zakonshme, por edhe në një darkë me miqtë.

Mini-çantat

Çantat e vogla ose ato në formë kutie mbeten sërisht IN edhe këtë sezon. Mund të them që nuk janë shumë praktike përsa i përket sasisë së gjërave që nxë brenda, por nëse duam të dukemi sa më stil duhet të kemi të paktën një çantë të tillë në gardërobë (do t'ju sugjeroja me sa më shumë ngjyra, që të kemi mundesi ta kombinojmë me disa veshje). Një nga arsyet që i preferoj këto çanta është sepse përveçse mund t'i vesh në përditshmëri, ato ngjajnë shumë bukur edhe në një event me një fustan klasik (gjithmonë varet nga dizanji që zgjedhim).

Trendet e mësiperme janë inspiruar pa asnjë dyshim nga FW Runways 2019 dhe asnjë nga veshjet e mia nuk ishin brande shumë të shtrenjta.

Mjafton të kemi një ide të gjërave që janë më në modë për çdo sezon dhe mund t'i gjejmë pa asnjë problem në dyqane të zakonshme.

Personalisht, jam tepër e dhënë mbas cilësisë së rrobave që vesh dhe nuk do t'ju sugjeroja që të zgjidhnit ato më të lirat, por diçka të ndërmjetme, sepse, në fund të fundit, e veshura mirë është investim për veten tonë.

Kush është Lorina Boka? 

Lorina Boka është një vajzë 21-vjeçare që prej disa muajsh jeton dhe punon në Toronto, Kanada. Që e vogël ka studiuar piano dhe bashkë me të ka ushqyer dashurinë për artin dhe modën.

Puna e parë e Lorit në Toronto ishte në një revistë kanadeze kushtuar modës dhe së bukurës “SHE Magazine”. Gjithmonë e ka pëlqyer modën dhe të dukurit bukur pa e tepruar. Këtë pasion ka dëshirë ta ndajë me të gjitha bashkëmoshataret e saj në Shqipëri, të cilat nuk gjejnë gjithmonë mundësi për t’u veshur me brande e emra të mëdhenj të modës.

Në këtë shkrim, por edhe në të tjerët që do të pasojnë, do të mësoni disa truke për t’u dukur bukur edhe me pak para, mjafton të orientohesh pak më shumë nga stili.