Dielli sa vjen e po bëhet më i nxehtë. Gjatë ditëve në plazh, shikon ҫdo masë trupi dhe ҫdo model bikini që, të pëlqen apo jo, thotë diҫka në lidhje me personalitetin e asaj që e zgjedh.

Ҫdo trup ka bukurinë e vet dhe kjo është e padiskutueshme, por edhe rrobat e banjës kanë një specifikë ndërsa mes shumë modeleve, zgjedh pikërisht ato që të duken se të përshtaten me natyrën.

Ja modelet që thonë diҫka për ty.

A. Me lidhje. Kush nuk i ka veshur ndonjëherë… itsy bitsy bikini! Janë në shumë versione, por pjesa më e madhe e tyre janë të përshtatshme pas trupit. Ti ke qejf të ekspozosh më shumë lëkurë gjatë kohës që je në plazh, je natyrë që të pëlqejnë ndryshimet dhe nuk druhesh për të provuar gjëra të reja. Zakonisht, veshjet që zgjedh duhet të të rrinë fiks pas trupit, në mënyrë që edhe nëse shkon në fushën e volejbollit apo të vraposh në rërë, mos të ndihesh asnjëherë në siklet. Ndonjëherë konfidenca që krijon, mund t’i bëjë të tjerët të të keqkuptojnë, por kjo nuk zgjat shumë.

B. Braziliane. E nxehtë! Ke një trup të bukur dhe nuk ke frikë ta tregosh. Nëse do të mundje të jetoje në plazh, do ta bëje, sepse e dashuron verën dhe di si ta mbash ngjyrën e saj. Në përgjithësi, je rehat me trupin tënd, por kujdesesh të kesh gjithmonë nën kontroll situatën dhe peshën. Vetëbesimi të bën që të kesh rreth vetes shumë miq dhe të kalosh gjithmonë bukur periudhën e verës.

C. Normale. Të thjeshta dhe të rehatshme – kjo është motoja jote në gjithҫka. Ti e di ҫfarë duket bukur në trupin tënd, ndaj edhe nuk dëshiron të eksperimentosh me të. Gjatë verës kënaqesh më shumë të kesh me vete njerëz që i ke miq për një kohë të gjatë, të pëlqen të jesh grup, por nuk do të jesh në qendër të vëmendjes. Ndonjëherë dukesh edhe sikur je në heshtje, por në ato raste mund të tentosh të provosh gjëra të reja – sepse asnjëherë nuk e di se ҫfarë mund të të sjellin.

D. Bokse. Je sportive dhe gjithmonë e prirur për të qenë atlete e mirë. Të pëlqen të bësh palestër, bën ushtrime ҫdo ditë, ndaj edhe të pëlqejnë veshjet sportive –  pse të mos i veshësh edhe në plazh? Ky lloj bikini që të pëlqen tregon se je gjithmonë gati për sport edhe në plazh, në rërë apo pishinë. Megjithatë, sigurohu që ana jote sportive nuk bëhet ndonjëherë e mërzitshme për ata që të shoqërojnë.

E. Me bel të lartë. Ti je gjithmonë ajo shoqja që njihet. Nëse ka fjalë të fundit të modës, stil, blogere, këngëtare apo dyqan, ti e di fjalën e fundit të së resë, ҫfarë është në trend dhe ҫfarë ka dalë. Mikeshat e tua e dinë këtë fakt, ndaj edhe të pyesin për të rejat. Look-u yt është gjithmonë i ri dhe i ndryshëm në varësi të modës, je përherë e gatshme për të provuar gjëra të reja, por nuk i lejon ato të dominojnë aq shumë sa të të prishin kohën e relaksit.

Ndoshta nuk ka shumë rëndësi se cilin model preferon apo dëshiron të veshësh më shumë këtë verë. Në ҫdo stil do të dukesh shumë bukur nëse vlerëson dhe e do trupin që ke.